Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë lidhur me përkeqësimin serioz të gjendjes në luftën kundër korrupsionit dhe degradimin institucional në vend.
Sipas raportit më të fundit të Transparency International, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie prej 12 vendeve në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024, duke u renditur në vendin 88 nga 180 shtete, me vetëm 40 pikë. Kjo rënie drastike është tregues i qartë i humbjes së besimit publik dhe ndërkombëtar ndaj institucioneve shtetërore.
Si opozitë, vlerësojmë se kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar të luftojë korrupsionin, por me veprimet e saj e ka normalizuar atë.
Alarmante janë edhe të dhënat nga Fakulteti i Sigurisë, sipas të cilave çdo i treti qytetar ose një anëtar i afërt i familjes së tij ka pasur kontakt me një zyrtar të korruptuar. Ky fakt nuk është më vetëm çështje morale apo administrative, por, siç u theksua edhe nga ekspertët, korrupsioni sistemik përbën kërcënim serioz për sigurinë e shtetit, pasi paralizon institucionet dhe minon funksionimin e rendit demokratik.
Paralelisht me këtë dështim institucional, shumica parlamentare ka miratuar Ligjin për Kontrollin e Emetimeve Industriale, i cili, sipas organizatës “Green Humane City”, hap rrugë për skandale të reja mjedisore. Ky ligj u jep industrive të drejtën që, nën arsyetimin e “sekretit tregtar”, të fshehin nga qytetarët informacion jetik për llojin e mbetjeve që digjen në fabrikat e tyre. Me këtë ligj, qytetarëve u mohohet e drejta themelore për të ditur nëse po rrezikohet shëndeti i tyre dhe ambienti ku jetojnë.
BDI vlerëson se:
• Korrupsioni po thellohet dhe po shndërrohet në normë;
• Siguria shtetërore dhe besimi qytetar po dëmtohen rëndë;
• Transparenca dhe mbrojtja e mjedisit po sakrifikohen në favor të interesave të ngushta ekonomike.
Si parti politike serioze, kërkojmë:
• Rishikim urgjent të politikave antikorrupsion dhe anulim të ligjeve që mbrojnë korrupsionin;
• Përgjegjësi politike dhe institucionale për rënien e vendit në indeksin e korrupsionit;
• Transparencë të plotë për aktivitetet industriale që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve.
BDI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesit publik, sundimin e ligjit dhe ndërtimin e institucioneve të besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe jo të korrupsionit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com