BE paralajmëron paketë të re mbështetjeje financiare për Ballkanin Perëndimor, Serbia dhe Kosova mbeten jashtë
Bashkimi Evropian ka njoftuar një paketë të re mbështetjeje financiare në vlerë prej 171 milionë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, e fokusuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e sektorit privat. Në këtë paketë nuk përfshihen Kosova dhe Serbia.
Sipas Komisionit Evropian, fondet do t’u ndahen Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me synimin për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar se investimet në rajon janë thelbësore për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Ajo ka deklaruar se këto projekte synojnë të krijojnë mundësi konkrete për qytetarët, duke mbuluar fusha nga infrastruktura deri te zhvillimi i bizneseve.
Nga shuma totale, 91.8 milionë euro janë ndarë për projekte infrastrukturore, përfshirë implementimin e internetit me shpejtësi të lartë dhe elektrifikimin e hekurudhës Durrës–Tiranë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmetimit të energjisë në Maqedoninë e Veriut, rindërtimin dhe modernizimin energjetik të shkollave në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, si dhe projekte për furnizim me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza në Bosnjë e Hercegovinë, raporton Nova.
Një tjetër pjesë e paketës, në vlerë prej 76.3 milionë eurosh, është dedikuar për mbështetjen e sektorit privat, përmes programeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, financimit inovativ për investime jo-tradicionale dhe forcimit të partneriteteve publike-private në rajon.
Ndërkohë, Serbia nuk është përfshirë në këtë paketë financiare, pavarësisht se është pjesë e Ballkanit Perëndimor.
Ky vendim ka nxitur reagime dhe kritika nga qarqe politike në Beograd, të cilat e shohin mungesën e fondeve si një sinjal negativ për marrëdhëniet dhe dialogun me Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se projektet do të zbatohen në bashkëpunim me partnerët lokalë dhe institucionet ndërkombëtare financiare.
Po ashtu, rreth 2.9 milionë euro janë ndarë për ndihmë teknike në Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, me fokus në nxitjen e investimeve në energji, ujë, inovacion dhe kërkime shkencore.