Bashkimi Evropian po punon për një ndryshim të rëndësishëm të rregullave që rregullojnë tregtinë e makinave të përdorura, me qëllim që të ndalojë përfundimin e automjeteve më keq të mirëmbajtura ose teknikisht të pasigurta në vende të treta, si ato të Ballkanit Perëndimor. Paketa e re e rregulloreve që po përgatit Brukseli parashikon që, kur një automjet shitet ose eksportohet nga BE-ja, duhet të vërtetohet qartë se nuk është “automjet në fund të jetës” (End-of-Life Vehicle – ELV) dhe se është teknikisht i rregullt dhe i sigurt për qarkullim.

Kjo do të thotë se makinat e vjetra, të përdorura për dekada, të cilat zakonisht eksportohen nga Gjermania, Italia, Franca, Austria apo Belgjika, nuk do të mund të shiten ose dërgohen lehtësisht në vende të treta pa një dëshmi të standardizuar të gjendjes teknike. Kjo dëshmi do të merret përmes një kontrolli teknik të detyrueshëm ose vlerësimi nga një ekspert i pavarur dhe pa këtë dokument automjeti nuk do të mund të regjistrohet, të eksportohet apo të shitet përmes kanaleve zyrtare.

Një nga pjesët më të diskutueshme të kësaj rregullative është fakti se kostoja për lëshimin e certifikatës së rregullsisë teknike pritet të mos jetë e vogël: sipas disa vlerësimeve, ajo mund të jetë nga 1.500 deri në 2.000 euro, çmim që shpesh i afrohet ose edhe e tejkalon vlerën e makinave më të lira që eksportohen në tregjet e Ballkanit. Kjo do të thotë se shumë automjete të vjetra nuk do të jenë më të leverdishme për eksport nga BE-ja dhe, në vend të kësaj, do të përfundojnë në riciklim brenda Unionit, prej nga nuk do të mund të transportohen më.

Kjo nuk nënkupton një ndalim total të eksportit të makinave të përdorura nga BE-ja, por vendosjen e kritereve shumë më të rrepta për atë se cilat automjete mund të eksportohen. Automjetet që janë realisht në gjendje të mirë dhe më moderne – për shembull ato 2, 3 apo 5 vjet të vjetra – do të mund të eksportohen normalisht pa probleme të mëdha. Por modelet më të vjetra dhe më të lira, që shpesh janë më të kërkuarat në tregje si i yni, do të përballen me barriera që mund ta ulin ndjeshëm disponueshmërinë e tyre.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com