Deputetja Kaltrina Beqiri ka akuzuar Frontin Evropian, të njohur në opinion si AKI dhe të kryesuar nga BDI, për sjellje destruktive në Kuvend, duke theksuar se opozita po politizon procedura teknike dhe po bllokon funksionimin normal të institucioneve informon Tetovasot.
Në deklaratën e saj për media, Beqiri sqaroi se verifikimi i mandatit të një deputeti është procedurë formale dhe automatike parlamentare, e jo çështje politike apo e vullnetit të shumicës.
“Mosvotimi apo votimi kundër verifikimit të një mandati është absurd dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik të shtetit. Ky është detyrim institucional, jo vendim politik,” tha Beqiri.
Ajo shtroi edhe një shembull hipotetik, duke paralajmëruar se një praktikë e tillë mund të çojë në bllokim institucional dhe puç demokratik, nëse nesër do të refuzohej verifikimi i mandatit të një deputeti nga radhët e BDI-së.
Beqiri rikujtoi se kjo sjellje është parë më herët në rastin e deputetes Valbona Adili Emini, e cila zëvendësoi Salim Sulejmanin, si dhe së fundmi me deputetin Zeqirja Tairi, që mori mandatin e Bekim Salit pas emërimit të tij ministër.
Sipas saj, qasja bllokuese e opozitës nuk është ndalur vetëm te mandatet, por po shtrihet edhe te reformat në drejtësi. Ajo përmendi se Fronti Evropian nuk e ka mbështetur as Projektligjin për Këshillin Gjyqësor, të miratuar më 29 dhjetor, i cili synon forcimin e pavarësisë dhe transparencës së sistemit gjyqësor.
Po ashtu, Beqiri theksoi se edhe dje, më 12 janar, opozita nuk i mbështeti dy propozimet e Presidentes për anëtarë të Këshillit Gjyqësor, pavarësisht se bëhej fjalë për kandidate shqiptare me përvojë profesionale.
“Kjo nuk është çështje emrash apo përkatësie etnike, por hipokrizi politike. Ata që flasin për institucione, në praktikë bllokojnë çdo proces që nuk e kontrollojnë vetë,” u shpreh Beqiri.
Në fund, deputetja theksoi se shumica do të vazhdojë të insistojë në respektimin e ligjit, procedurave parlamentare dhe funksionimin normal të institucioneve, duke denoncuar publikisht çdo veprim që, sipas saj, dëmton interesin publik dhe rendin demokratik.
Postimi i plote:
Deputete: Kaltrina Beqiri
Të nderuara media,
Sot jemi këtu për një arsye shumë të qartë. Fronti Evropian, apo siç njihet në opinion si AKI, i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, po sillet në mënyrë tërësisht destruktive ndaj çështjeve që janë krejtësisht normale, teknike dhe të rregulluara qartë me procedurë parlamentare.
Dua ta theksoj qartë që në fillim: kjo sjellje nuk është dhe nuk ka qenë kurrë praktikë normale parlamentare. Verifikimi i mandatit të një deputeti nuk është çështje politike, as çështje shumice apo pakice, por procedurë formale dhe automatike e Kuvendit.
Kur një deputet kalon në një funksion tjetër, Kuvendi ka një mekanizëm të qartë dhe të konsoliduar: mandati plotësohet nga kandidati i radhës në listë. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por detyrim institucional. Mosvotimi apo votimi kundër verifikimit të një mandati është absurd dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik të shtetit.
Le të shtrojmë një pyetje hipotetike, por shumë reale: çfarë do të ndodhte nëse nesër një deputet nga radhët e BDI-së do të duhej të verifikohej dhe shumica parlamentare do të refuzonte ta votonte mandatin e tij? Kjo do të nënkuptonte bllokim të institucioneve dhe do të ishte një puç institucional, jo proces demokratik.
Pikërisht këtë sjellje e pamë në rastin e deputetes Valbona Adili Emini, e cila erdhi në vend të Salim Sulejmanit, dhe e pamë sërish dje me deputetin Zeqirja Tairi, i cili zuri vendin e deputetit Bekim Sali, tashmë i emëruar ministër. Në të dy rastet, opozita zgjodhi ta politizojë një procedurë teknike, duke krijuar konfuzion të panevojshëm te qytetarët.
Kjo qasje destruktive nuk ndalet vetëm te verifikimi i mandateve. Ajo po shtrihet edhe te vendimmarrjet kyçe që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi.
Më 29 dhjetor, Kuvendi miratoi Projektligjin për Këshillin Gjyqësor, një ligj që vendos themelet për një Këshill Gjyqësor të fortë, të pavarur dhe transparent, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor. Edhe ky ligj, pjesë e agjendës reformuese shtetërore, nuk u mbështet nga Fronti Evropian, përkatësisht BDI.
Dje, më 12 janar, Kuvendi kishte përpara dy propozime të Presidentes për anëtarë të Këshillit Gjyqësor: një avokate me përvojë dhe një profesoreshë universitare me kredenciale të larta profesionale, etnikisht shqiptare. Edhe në këtë rast, Fronti Evropian zgjodhi të mos e mbështesë procesin.
Ne nuk e hapim këtë temë për emra dhe as për përkatësi etnike. Ajo që është thelbësore është hipokrizia politike e atyre që në publik flasin për përfaqësim dhe institucione, por në praktikë bllokojnë çdo proces që nuk kontrollohet prej tyre. E patën rastin ta dëshmojnë me votë se janë për reforma dhe institucione funksionale dhe zgjodhën të kundërtën.
Një opozitë që me veprimet e veta ka kontribuar që besimi i qytetarëve në gjyqësor të bjerë në nivele minimale, sot dëshmon qartë se nuk është e interesuar as për reforma, as për respektimin e procedurave parlamentare.
Ne do të vazhdojmë të insistojmë në rend, në ligj dhe në funksionim normal të institucioneve. Dhe do ta denoncojmë publikisht, sa herë që është e nevojshme, çdo sjellje destruktive që dëmton interesin publik dhe rendin demokratik.