Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj raportimeve mediatike dhe akuzave politike lidhur me themelimin e një kompanie nga fëmijët e tij madhorë, duke i cilësuar ato si absurde, të pavërteta dhe senzacionaliste.

Në reagimin e tij publik, Bexheti thekson se kompania është hapur në mënyrë tërësisht ligjore dhe transparente përmes Regjistrit Qendror dhe se, ndër veprimtaritë e regjistruara, ka edhe ndërtimtarinë, gjë që sipas tij po keqpërdoret për të ndërtuar një narrativë skandaloze.

“Sipas kësaj logjike, çdo i ri që hap kompani automatikisht qenka ‘ndërtues pallatesh’. Mëkati më i madh sot, me sa duket, është që një i ri përpiqet të bëhet sipërmarrës, në vend që të punësohet në institucione publike përmes partisë,” shprehet Bexheti.


Ai sqaron se kompania në fjalë nuk ka fituar asnjë tender publik, nuk ka lidhur asnjë kontratë dhe nuk ka filluar asnjë aktivitet biznesi, duke vlerësuar se po krijohet një “histori dramatike” për një subjekt që realisht nuk ka asnjë lidhje me fondet publike.

Bexheti pranon se akuza e vetme konkrete ndaj tij lidhet me mosparaqitjen, me një vonesë prej tre muajsh, të themelimit të kompanisë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Sipas interpretimit të tij ligjor, përderisa fëmijët e tij jetojnë ndaras, nuk ka ekzistuar obligim për deklarim, por ai shton se nëse KSHPK vlerëson ndryshe, deklarimi do të bëhet.

Në reagimin e tij, deputeti i BDI-së bën krahasime me atë që i quan skandale reale, duke përmendur ndarjen e tenderëve milionësh kompanive me numër minimal të punësuarish dhe kontrata të mëdha shtetërore që, sipas tij, kanë përfunduar te persona të afërt me elitat politike.

“Kur nuk kanë argumente kundër meje, fillojnë t’i sulmojnë fëmijët e mi. Kjo flet shumë më tepër për ta sesa për mua,” thekson Bexheti.

Në fund, ai deklaron se mbetet konsekuent në qëndrimin e tij që institucionet të veprojnë dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, ndërsa, sipas tij, senzacionet e montuara do të mbeten vetëm në nivel spekulimesh dhe senzacionalizmi të lirë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com