Nga Rudina Koromani / Psikologe
Të punosh me adoleshentë me aftësi ndryshe , të shërosh emocionet e tyre është një përvojë shumë e thellë njerëzore. Ata nuk kanë më pak ndjenja, përkundrazi, shpesh kanë ndjeshmëri më të lartë emocionale. Terapia nuk ka të bëjë me “korrigjimin” e tyre, por me krijimin e një hapësire të sigurt, ku ndihen të parë, të dëgjuar dhe të pranuar. Shërimi fillon kur ata nuk ndihen më “gabim”, por të vlefshëm ashtu siç janë.
Bullizmi ndaj personave me aftësi ndryshe nuk është vetëm tallje apo dhunë fizike, të cilat kur ndodhin janë akte të patolerueshme njerëzore. Bullizmi ndaj tyre është shpesh: përjashtim i vazhdueshëm, nënvlerësim, ironizim, etiketim ose trajtim si “të paaftë”. Serioze është fakti kur bullizmi vjen jo vetëm nga bashkëmoshatarët, por edhe nga mungesa e ndërhyrjes së të rriturve
Bullizmi ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe krahasuar me fëmijët e tjerë është shpesh më i heshtur dhe më i sofistikuar: është injorim, përjashtim social, “ndihmë” që i bèn tè ndihen tè paaftë. Ky lloj trajtimi/ injorimi nuk lë shenja në trup te ta, por lë plagë të thella në vetëvlerësim. Shenjat “e heshtura” që vërehenkur ndodhin raste të tilla janë:
tërheqje nga shoqëria,
heshtje e pazakontë,
rënie e interesit për shkollën,
ankth para se të dalin nga shtëpia,
dhimbje koke apo barku pa arsye mjekësore.
Shpesh fëmija nuk flet sepse mendon se “kështu duhet të jetë”. Ai krijon bindje shumë të rrezikshme: “Nuk vlej”‘ “Jam barrë” “Jam ndryshe, pra më pak”. Këto mund të çojnë në ankth, depresion, izolim, madje edhe mendime vetëdëmtuese sidomos në adoleshencë.
Çfarë mund të bëjnë prindërit kur dyshojnë se fëmija po bullizohet? Shërimi fillon kur nuk ndihesh më “gabim. Gjëja më e rëndësishme është t’i japin rëndësinë e duhur gjëndjeve psikologjike të tyre : të dëgjojnë pa gjykuar, të mos e fajësojnë fëmijën, të bashkëpunojnë me shkollën, nëse shihet e nevojshme të kërkojnë ndihmë profesionale. Mesazhi kryesor për fëmijën duhet të jetë:” Nuk je vetëm dhe nuk është faji yt. Ndryshimi yt nuk është dobësi. Është pjesë e identitetit tënd. Bullizmi flet për frikën e tjetrit, jo për vlerën tënde.”
Nga ana tjetër shkolla nuk duhet vetëm të ndëshkojë bullizmin, por të ndërtojë kulturë përfshirëse lidhur me ndërgjegjësimin, edukimin emocional, tolerancën zero ndaj përjashtimit, mbështetje psikologjike reale. Heshtja e shkollës, kur ndodh, është gjithashtu një formë dhune.
Kur shkolla hesht, dhuna flet.
Fëmijët e të rinjtë me aftësi ndryshe nuk janë “të brishtë”, ata janë të pambrojtur e ndjeshmëria e tyre nuk është dobësi. Heshtja shoqërore e e institucionale është dobësi.
Mesazhi që u jap prindërive që rrisin e edukojnë fëmijë me aftësi ndryshë është të punojnë të forcojnë vetbesimin e tyre duke mundësuar nxjerrjen e ezërit të fëmijëve të tyre.
Duke formuar e ndërtuar sa më shumë aftësi të fëmiojët e tyure, duke i përfshirë realisht në komunitet, dhe duke i mësuar se të kërkosh ndihmë është forcë, jo dobësi.
“Ndjeshmëria ndaj njerëzve me aftësi ndryshe nuk është bamirësi, është kulturë njerëzore. Dhe ajo fillon aty ku ndalojmë së gjykuari dhe fillojmë së dëgjuari.”