Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Dibër po i ndjek me vëmendje zhvillimet dhe shqetësimet e ngritura në opinion lidhur me procesin e sistematizimit të ri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që parasheh uljen e Njësisë për Punë të Brendshme-Dibër në njësi të kategorisë së dytë, me ç’rast do të humben funksionet kyçe si: kryeshef i policisë, kryeshef i njësisë antikrim, zëvendëskomandant, dhe komandant i pikës kufitare, ndërsa vendimmarrja do të kalon nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër.

Për ne, kjo çështje nuk është debat partiak, por çështje e drejtpërdrejtë e interesit publik. Çdo ndryshim që prek strukturën dhe funksionimin e policisë lokale ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve, efikasitetin e shërbimeve dhe ndjenjën e barazisë institucionale për dibranët.

Dibra është rajon kufitar me rëndësi strategjike dhe kërkon prani të plotë institucionale dhe kapacitete funksionale vendimmarrëse në fushën e sigurisë. Çdo vendim që mund të nënkuptojë dobësim të strukturave lokale apo zhvendosje të kompetencave duhet të shqyrtohet me kujdes maksimal dhe mbi baza profesionale.

Edhe në qoftë se bëhet fjalë për propozim-ndryshime, kërkojmë që qytetarët e Dibrës të informohen qartë, saktë dhe me transparencë për çdo ndryshim të mundshëm. Paqartësitë krijojnë pasiguri dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet që kanë për detyrë të garantojnë rendin dhe sigurinë publike.

BDI – Dega Dibër kërkon që në procesin e sistematizimit të ruhet dhe respektohet statusi institucional i Dibrës, të mos ketë asnjë vendim që cenon sigurinë lokale dhe çdo ndryshim të bëhet me analizë profesionale.

Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër këtë proces dhe do të reagojmë ndaj çdo vendimi që cënon interesin e qytetarëve të Dibrës.

Dibra meriton institucione funksionale, siguri të plotë dhe trajtim të barabartë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com