Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar ku ka sqaruar rrethanat dhe dinamiken e aksidentit të ndodhur në orët e para të kësaj të shtune në Klos. Sipas policisë, një automjet tip Audi me targa angleze, me drejtues 24-vjeçarin A.L., banues në fshatin Fullqet, Klos, dhe pasagjer 30-vjeçarin J.K., ka dalë nga rruga rreth orës 01:30 dhe ka përfunduar në një përrua.

Policia bën të ditur se 24-vjeçari ka dalë nga makina dhe nga uji duke shpëtuar, ndërsa për pasagjerin nuk ka asnjë informacion. Policia ka arrestuar drejtuesin e audit për shkak se ai dyshohet se nuk e ka ndihmuar pasagjerin pas aksidentit dhe nuk ka njoftuar uniformat blu, ndërsa pas testit të alkoolit ka rezultuar se ka qenë në gjendje të dehur në timon.

Njoftimi i policisë

“Është identifikuar dhe arrestuar 24-vjeçari i cili ra me automjetin që drejtonte në përroin e fshatit Dars. Ai nuk njoftoi Policinë, u largua nga vendngjarja dhe dyshohet se nuk i dha ndihmë pasagjerit në brendësi të automjetit. Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit. Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës. Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë, u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A.L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos. Po nga veprimet, dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J.K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit. Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A.L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja. Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J.K. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com