Drejtori i Spitalit Klinik i Tetovës, Erzen Elezi: Procedurat u respektuan, konkursi u shty për shkak të zgjedhjeve
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës i kundërpërgjigjet akuzave të ministres së financave Koçocka lidhur me mos realizimin e punësimeve në këtë Spital. Erzen Elezi tha për Alsat se pavarësisht pëlqimit që ka marrë në korrik nga Ministria e Financave, konkursin nuk ka mundur ta realizojë për shkak të zgjedhjeve lokale.
“Menjëherë pas zgjedhjeve vijuam procedurat ligjore për hapje të konkursit dhe e hapëm të njëjtin për 119 punëtorë mjekësor në Spitalin e Tetovës dhe dhjetë ishin personel teknik. Pra nga ana e spitalit të Tetovës janë respektuar gjitha ligjet, duke filluar nga dokumentacioni testimi që komisioni i testimeve e verifikoi në mënyrë ligjore dhe në fund edhe intervista dhe kemi kryer gjitha procedurat nga ana e spitalit”, tha Erzen Elezi, drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.
Lidhur me akuzat protestuesve se në konkurs janë pranuar edhe persona të tjerë që nuk kanë punuar më parë në Spital, Elezi tha se në vende të caktuara ka pasur nevojë për profile të tjera.
“Shembull në akusheri ka shtatë apo tetë me kontratë në akusheri që janë me vite dhe në atë vend është dashur një të pranojmë, sepse nuk e ndryshojmë dot tani shkollën e mesme ta bëjmë të përgjithshme që ta punësojmë dhe këtë ua kam sqaruar para konkursit që një numër shumë i vogël do ngel jashtë por të drejtën demokratike nuk ua merr askush. Pastaj ka qenë edhe dokumentacioni që ka pasur dokumentacion jo të rregullt dhe automatikisht bie nga konkursi”, u shpreh Erzen Elezi, drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës Erzen Elezi tha se të punësuarit vendimet pritet t’i marrin brenda dhjetë ditësh./