Me futjen në fuqi të ligjit të ri për mbrojtjen nga duhani, pritet që një pjesë e objekteve hotelerike, kafiteri dhe bare të ndryshme të kenë pasoja në drejtim të punës së tyre. Por, nga ana tjetër do të jetë edhe një punë shtesë për Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, të cilët edhe ashtu kanë pasur mungesë të inspektorëve.
Por, ministri i Ekonomisë dhe i Punës, Besar Durmishi, theksoi se mungesa e inspektorëve në Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, ka qenë evidente, por po bëhen përpjekje që ky vakum të plotësohet me punësimet të cilat janë bërë, por edhe të cilat do të bëhen.
“Inspektorati i Punës dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut, pasi pati ndryshime në ligjet dhe 16 inspektorate iu kthyen ministrive amë, gjegjësisht këto dy inspektorate u kthyen në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, menjëherë kam informuar Qeverinë se edhe Inspektorati i Punës dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut kanë nevojë për punëtorë shtesë që të mund të kryhen kontrollet në të gjithë tregun e brendshëm.”, – deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Sipas tij, punësime janë bërë në këto inspektorate, por a është numri i mjaftueshëm do të tregojë koha.
“Punësimet të cilat janë bërë vitin paraprak dhe ato tanimë janë duke u trajnuar dhe duke u përgatitur, e dini që duhet më së paku 1 vit trajnim që të marrë licencën dhe që të mund të jetë inspektor në terren. Prej vitit paraprak, afërsisht numri i të punësuarve është 40, dhe diku nga mesi i këtij muaji do të marrin licencën për të qenë inspektor dhe do të mund të ushtrojnë detyrën e tyre. Më pas do të bëjmë analizën dhe të shohim se a është numri i mjaftueshëm dhe a mund të mbulohet i gjithë tregu dhe nëse do të ketë nevojë për inspektor shtesë jemi këtu që t’ju informojmë.”, – theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Sipas ministrit, deri më tani në Inspektoratin e Punës ka pasur rreth 80 inspektorë të rinj të punësuar, ndërsa tek Inspektorati Shtetëror i Tregut janë angazhuar rreth 40 inspektorë.