Gjyqtari i Apelit, Gjoko Ristov, i cili së fundmi u vendos në paraburgim pasi në shtëpinë e familjes së tij në Negotinë u gjetën të murosura 350 mijë euro, ka vepruar në shumë lëndë të njohura për opinionin publik, për të cilat pati reagime dhe kritika se nuk përfunduan në përputhje me ligjin. Por edhe në rast se vërtetohet se gjyqtari ka marrë ryshfet për ndonjërën prej tyre, në mënyrë që të përfundonin në favor të të akuzuarve, këto raste nuk do të mund të rigjykohen kurrë.

Si pjesë e Gjykatës së Apelit, Ristov ka gjykuar në panele edhe për lëndët “Target”, për përgjimet masive të paligjshme në DSK, “Trezor”, për blerjen e pajisjeve britanike për ndjekjen e komunikimeve elektronike, “TNT” për shembjen e kompleksit “Kosmos”, “Total” dhe disa të tjera, të cilat përfunduan në favor të të akuzuarve ose u parashkruan pas kalimit të një kohe të gjatë në Apel. Kjo do të thotë se asnjëra prej këtyre lëndëve nuk mund të rikthehet në procedurë, përkatësisht të rigjykohet, edhe nëse vërtetohet se për to është marrë ryshfet për të vendosur në favor të të akuzuarve.

Kjo është e paraparë në Kodin e Procedurës Penale, neni 450 “Rihapja e procedurës në dëm të të dënuarit”. Ky nen parashikon vetëm një situatë kur procedura mund të rihapet në dëm të të dënuarit.

“Procedura penale, në raste të jashtëzakonshme, mund të rihapet në dëm të të dënuarit nëse aktgjykimi me të cilin refuzohet aktakuza është marrë për shkak të mungesës reale të kompetencës së gjykatës, dhe nëse prokurori publik ka ngritur procedurë para gjykatës kompetente dhe ka kërkuar rihapjen e procedurës.”

Nga ana tjetër, rihapja e procedurës është lehtësisht e mundshme nëse aktgjykimi është marrë në dëm të të akuzuarit, përkatësisht nëse dikush është dënuar në mënyrë të paligjshme, dhe kjo rregullohet me nenin 449 “Rihapja e procedurës në favor të të dënuarit”.

Gjyqtari Ristov aktualisht ndiqet penalisht për dy vepra penale, përkatësisht “Përfitim dhe fshehje e kundërligjshme e pasurisë” dhe “Pastrimi i parave”. Për momentin, ai nuk lidhet drejtpërdrejt me asnjë rast të marrjes së ryshfetit. Siç sqaroi prokurorja e çështjes, Iskra Hadži Vasileva, një pjesë e provave vetëm sugjerojnë, por për momentin nuk ka prova të drejtpërdrejta se gjyqtari Ristov i ka marrë pikërisht këto para për ndonjë lëndë konkrete dhe më pas i ka fshehur.

“Ka disa prova që tregojnë në këtë drejtim, por nuk ka provë të drejtpërdrejtë se gjyqtari i ka marrë paratë. Dorëzimet në korrupsionin e nivelit të lartë nuk bëhen dorë më dorë, por përmes disa ndërmjetësve”, sqaroi prokurorja Haxhi Vasileva.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com