Cesc Fabregas thotë se “nuk ka asgjë për të thënë” lidhur me zërat për Chelsean, pasi shpreson të qëndrojë në krye të Comos “për një periudhë mjaft të gjatë”, por shprehet i “shqetësuar” për një rregull të mundshëm të ri të pozicionit jashtë loje: “Disa skuadra mund të tërhiqen edhe më thellë në mbrojtje”.
Trajneri i Comos, Fabregas, mbajti një konferencë për shtyp të premten përpara ndeshjes së Serie A kundër Udineses.
Pas ndarjes së Chelseat me Enzo Marescan më 1 janar, disa media kanë pretenduar se Fabregas është një nga kandidatët për të marrë drejtimin në “Stamford Bridge”.
“Nuk kam asgjë për të thënë,” komentoi ish-mesfushori i “Bluve” për “TMW”.
“Jam këtu dhe jam trajneri i Comos, shpresoj për një periudhë mjaft të gjatë”, tha ai.
Como renditet në vendin e 6-të në tabelën e Serie A dhe ka regjistruar tre fitore dhe dy humbje në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit.
Fabregas do të ketë mundësi të kufizuara në sulm të shtunën, pasi Jayden Addai, Alvaro Morata dhe Assane Diao janë të dëmtuar.
“Addai nuk do të jetë nesër. Së bashku me stafin mjekësor, kemi vendosur se është ende herët,” tha Fabregas.
“Ai ka filluar të sprintojë në stërvitje, por kemi shumë ndeshje për të luajtur dhe do të na duhen të gjithë”, shtoi ai.
“Diao shkoi në Senegal për një kontroll dhe u kthye pas tre ditësh. Ai e ka bërë tashmë pjesën e parë të rikuperimit këtu dhe i kam dhënë katër ditë pushim për t’i çliruar mendjen,” vazhdoi trajneri i Comos.
“Ai do të kthehet të hënën dhe mendoj se mund ta shohim në Torino. Besoj se do të duhen rreth tre javë”, u shpreh ai.
“Alvaro [Morata] po përmirësohet dhe tashmë po punon në fushë, por koha e rikuperimit është e ngjashme me atë të Diaos. Kuhn duhet të provojë veten dhe të ma tregojë. Ka pasur disa probleme fizike që e kanë penguar. Por vjen një moment kur lojtarët duhet të tregojnë se japin gjithçka dhe se janë gati. Jam i sigurt se do ta bëjë”, vazhdoi spanjolli.
Fabregas u pyet gjithashtu për mendimin e tij mbi një rregull të mundshëm të ri të pozicionit jashtë loje, të përmendur nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, më herët këtë javë.
Ndryshimi synon që lojtarët sulmues të mos konsiderohen jashtë loje për aq kohë sa ndonjë pjesë e trupit të tyre është në vijë me mbrojtësin e fundit, dhe jo që i gjithë trupi të jetë në vijë, siç parashikon rregulli aktual.
“Ajo që më shqetëson më shumë është se disa skuadra mund të tërhiqen edhe më thellë në mbrojtje,” tha Fabregas.
“Nuk jam adhurues i kësaj. Nëse ky rregull miratohet, shumë skuadra do të priren të mbrohen më shumë”, përfundoi ai.