Urim Saliu-Tetovasot
Ka katër ditë që fle në qiell të hapur një fëmijë i braktisur. Ai ndodhet në qytetin tonë, në Tetovë. Në të njëjtën kohë kur ne, ditë pas dite, debatojmë për “Safe City”, ky fëmijë mund të vdesë si shitësja e vogël e shkrepsave jo nga ndonjë aksident i zakonshëm, as nga një përplasje veture, por nga i ftohti ekstrem i këtyre ditëve.
I mbuluar me një batanije, në një shtrat që i ngjan më shumë atij të vdekjes se sa të jetës, i vogël dhe proporcional me trupin e tij të mitur, ai na tregoi se ndërsa ne qëndrojmë në shtëpitë tona të ngrohta, nuk na shkon mendja se diku, pak më përtej dritareve tona të ndriçuara, një fëmijë i uritur mund të jetë duke kaluar natën e fundit të jetës së tij.
Dhe ndoshta, akoma më keq se kaq, mund të zgjohet i ngrirë, mes urisë dhe acarit, pa asnjë dorë që ta zgjojë për ta shpëtuar.
Ky nuk është thjesht një rast social. Është një aktakuzë ndaj një sistemi që di të ndërtojë kamera, projekte, slogane dhe konferenca, por nuk di të përkulë kokën përballë një fëmije që fle mbi beton. Një sistem që flet për siguri, por nuk garanton as sigurinë më elementare, të drejtën për të mos vdekur nga ftohti në mes të qytetit.
Sepse çfarë vlere ka “Safe City”, nëse qyteti nuk është i sigurt për më të pambrojturin prej nesh? Çfarë vlere kanë ligjet, strategjitë dhe protokollet, kur një fëmijë mund të shuhet në heshtje, pa zhurmë, pa sirena, pa lajme urgjente?
Kjo heshtje është më e rëndë se çdo krim. Sepse këtu nuk vret vetëm varfëria , por vret indiferenca, vret normalizimi i së keqes, vret fakti që jemi mësuar ta shohim mjerimin si dekor të përditshëm.
Dhe ndërsa ne vazhdojmë jetën tonë, kafenë, debatet, ankesat, dritat e qytetit dhe muzikën e lokaleve, diku në errësirë një fëmijë lufton për të mbijetuar, pa e ditur se po lufton, pa e ditur se kjo quhet padrejtësi.
Kjo nuk është vetëm historia e tij. Është pasqyra jonë. Dhe në këtë pasqyrë, qyteti nuk duket as i sigurt, as i drejtë, as njerëzor.