Gashi: Ligji ia mundëson shumicës qeverisëse ta shfuqizojë “qeverinë teknike”, por më mirë është të biem dakord të gjithë së bashku
Për të shfuqizuar “qeverinë teknike”, më e mira është që paraprakisht të arrihet një konsensus mes të gjithëve dhe për këtë duhet të angazhohemi. Duhet të gjendet një zgjidhje për të cilën të gjithë së bashku do të konstatojnë se një qeveri e tillë nuk është e nevojshme, deklaroi sot kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Ai komentoi edhe paralajmërimet e ministrit të Administratës Publike, Goran Miçev, se deputetëve do t’u dorëzojë një propozim për ndryshime në Ligjin për Qeverinë, me të cilat do të precizohet se ku opozita do të ketë zëvendësministra shtesë dhe se qeveria teknike do të vlejë vetëm edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryetari i Kuvendit theksoi se për një hap të tillë nevojitet marrëveshje paraprake.
“Ligji nuk e ndalon që ndryshimi të bëhet përmes ligjit. Por mendoj se duhet të biem dakord dhe se do të ishte më mirë që këtë ta bëjmë së bashku. Nëse dikush dëshiron të qëndrojë me inat dhe kokëfortësi pas një qëndrimi, atëherë kjo duhet të argumentohet”, tha Gashi.
I pyetur nga gazetarët nëse me termin “inatçi” e kishte fjalën për sjelljen e LSDM-së, e cila këmbëngul fuqishëm në qëndrimin se qeveria teknike duhet të mbetet, Gashi u përgjigj se e kishte fjalën për të gjithë.
“Nuk e kam fjalën për LSDM-në, por në përgjithësi. Fuqia e argumenteve duhet të jetë vendimtare, e jo interesat partiake”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Ndërkohë, gjatë javës së ardhshme pritet të mbahet takimi fillestar i grupit të punës që do të punojë për ndryshimet në rregullativën zgjedhore. Ende nuk është e qartë nëse deputetët do të punojnë në ndryshime të reja – kush e di të cilat me radhë – të ligjit ekzistues, apo do të marrin një tekst ligjor plotësisht të ri. Kjo, sipas Gashit, do të varet nga propozimi që do të vijë nga Ministria e Drejtësisë. Ai do të insistojë që grupi i punës obligimet e tij t’i realizojë brenda Kuvendit.
Deri më tani, të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlament, përveç një deputeti të pavarur dhe Menduh Thaçit nga DPA, kanë nominuar nga dy përfaqësues që do të punojnë në ndryshimet e “rregullave të lojës” zgjedhore. Kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të kërkojë që në procesin e ndryshimeve të përfshihen në mënyrë aktive edhe institucionet e tjera që janë pjesë e procesit zgjedhor, si Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Enti Shtetëror i Revizionit, të cilat duhet të japin propozimet dhe sugjerimet e tyre për drejtimin dhe masën e ndryshimeve ligjore, me qëllim që procesi zgjedhor të bëhet sa më efikas dhe pa dyshime për legjitimitetin dhe rregullsinë e tij. Gashi as nuk insiston, por as nuk e refuzon mundësinë që ai vetë të jetë në krye të grupit të punës që do t’i sjellë këto ndryshime.
Në takimin e fundit të liderëve është diskutuar edhe për një Kod Zgjedhor plotësisht të ri, me të cilin do të ndryshohej modeli zgjedhor, ashtu që Maqedonia, në vend të gjashtë njësive zgjedhore, të bëhej një njësi e vetme zgjedhore, ndërsa deputetët të zgjidheshin me lista të hapura.