Hoxha-Dreksler: Mbështetja e Gjermanisë për tranzicionin energjetik dhe Agjendën e Gjelbër në Ballkan është një shtyllë kyçe për një sistem energjetik modern, të dekarbonizuar dhe të qëndrueshëm
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot në një takim pune me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler, shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fortë të Gjermanisë në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Ministri Hoxha theksoi se, në një kohë sfidash globale serioze, veçanërisht kriza energjetike dhe ndryshimet klimatike, kjo mbështetje përbën një shtyllë kyçe për mbrojtjen e kategorive të cenueshme të popullsisë, stabilizimin e sektorit energjetik dhe përshpejtimin e tranzicionit drejt një sistemi modern, të dekarbonizuar dhe të qëndrueshëm energjetik, në të mirë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës.
Ministri Hoxha vlerësoi përpjekjet e Gjermanisë për të mbështetur tranzicionin energjetik në rajon, përmes bashkëpunimit të ngushtë me Komisionin Evropian dhe institucionet financiare evropiane, me qëllim fuqizimin e investimeve në energji të pastër dhe të qëndrueshme.
Ky përkushtim u konfirmua edhe më tej në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët të Qëllimit për Partneritetin Rajonal për Klimën ndërmjet liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Gjermanisë.