Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IGFM-ISHR) ka përshëndetur dhe mbështetur plotësisht deklaratën e z. Karl Hafen, Sekretar dhe përfaqësues i lartë i Forumit/ Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.
Deklarata e z. Hafen, e bërë në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut (10 Dhjetor), thekson shqetësimet serioze për gjendjen e të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai evidenton probleme si:
• Mohimi i së drejtës për arsim në gjuhën amtare,
• Procese gjyqësore të montuara politikisht dhe dënime të padrejta, përfshirë burgime të përjetshme,
• Shkelje sistematike të së drejtës së pronës,
• Gjuhë urrejtjeje, racizëm dhe diskriminim në hapësirën publike,
• Mungesë të barazisë para ligjit dhe sigurisë juridike.
IGFM-ISHR nënvizon se këto shkelje bien ndesh me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, veçanërisht nenet 1, 2, 7, 10, 17 dhe 26, dhe kundërshtojnë standardet demokratike dhe evropiane.
Forumi i Drejtave të Njeriut bën thirrje:
• Institucioneve shtetërore të Maqedonisë së Veriut të ndalojnë diskriminimin dhe të garantojnë barazi të plotë,
• Bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve evropiane të mos mbyllin sytë para këtyre shkeljeve,
• Mekanizmave të drejtësisë që të rihapin dhe rishqyrtojnë rastet e proceseve të montuara politikisht.
Sipas IGFM-ISHR, deklarata e z. Hafen është një alarm dhe apel ndërgjegjësimi për respektimin e të drejtave themelore të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se pa respektimin real të të drejtave të njeriut nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, demokraci dhe integrim evropian.
Idriz Sinani, Kryetar Nderi i IGFM-ISHR, ka deklaruar se Forumi do të vazhdojë betejën pa kompromis për drejtësi, dinjitet dhe barazi.(INA)
Ja letra e plotë e Karl Hafen:
Të dashur anëtarë, të dashur miq, zonja dhe zotërinj të nderuar,
ju përshëndes në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, e cila u shënua para dy ditësh, më 10 dhjetor. Para 77 vjetësh, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u dakordësua për një dokument që synonte të ndryshonte botën. Pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, bashkësia ndërkombëtare duhej të ishte e vetëdijshme se përparimi i vërtetë mund të sigurohet vetëm përmes njohjes së të drejtave të njeriut. Ato duhet të mbrohen në mënyrë që njeriu të mos detyrohet, si mjet i fundit, të ngrihet kundër tiranisë dhe shtypjes, siç thuhet në Preambulën e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Për të mos ardhur deri në këtë pikë, arsimi dhe edukimi duhet të nxisin respektin për këto të drejta dhe liri, ndërsa ato duhet të mbrohen përmes shtetit të së drejtës. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut përcakton më pas, në 29 nga 30 nene, se cilat janë të drejtat e njeriut. Neni i fundit, neni 30, thekson se askush nuk ka të drejtë ta shfuqizojë këtë deklaratë.
Idriz Sinani, me të cilin bashkëpunoj ngushtë që nga viti 1981 – pra prej 44 vitesh – më ka kërkuar të jap një përgjigje ndaj motos së kësaj veprimtarie ose të paktën të jap kontributin tim. Këtë e bëj me kënaqësi dhe filloj me një vështrim pas: Kur Idrizi dhe unë u takuam për herë të parë, ai jetonte në Gjermani. Ai kishte ikur nga atdheu i tij – i cili në atë kohë quhej ende Jugosllavi – sepse jo vetëm që i mohoheshin të drejtat themelore të njeriut, por edhe sepse, duke mos u pajtuar me këtë gjendje, u përndoq. Së bashku me shumë të tjerë që kishin ikur në Gjermani në atë kohë, ne luftuam kundër padrejtësisë: organizuam qindra veprimtari, stenda informuese, demonstrata dhe drejtuam thirrje të panumërta ndaj qeverisë jugosllave për të respektuar më në fund të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e pakicave në Jugosllavi. Të gjithë ata që kanë jetuar me vetëdije në atë kohë e kujtojnë krimet e tmerrshme, sidomos kundër pakicës shqiptare – jo vetëm vrasjet e hapura, por edhe heqjen e çdo të drejte si qytetarë të barabartë të një atdheu të përbashkët. Përfundimi ishte i parashikueshëm: Jugosllavia u shpërbë; udhëheqësit e saj si Millosheviçi, Karaxhiçi dhe Mlladiçi – për të përmendur vetëm kasapët më të njohur – u detyruan të përgjigjen para Tribunalit Penal Ndërkombëtar në Hagë dhe u dënuan. Gjatë asaj kohe, IGFM kishte shumë përfaqësues kryesorë të pakicës shqiptare si mysafirë; i kujtoj me kënaqësi takimet e mia me Adem Demaçin dhe themeluesit e Universitetit të Tetovës, të cilët atëherë detyroheshin të jepnin mësim në fshehtësi. Çfarë njerëzish të mrekullueshëm dhe të guximshëm!
Por kushdo që besoi se pas shpërbërjes së Jugosllavisë në shtete të pavarura do të vendosej respektimi i të drejtave të njeriut, u zhgënjye. Idriz Sinani u kthye pas rënies së Jugosllavisë për t’i shërbyer vendit dhe atdheut të tij. Gjatë atyre viteve, me ftesë të Idrizit, unë kam qenë disa herë në terren: në Prishtinë, në Shkup dhe natyrisht edhe në Tiranë. Dhe gjithmonë Idrizi më çonte në pikat më të nxehta të aktualitetit. Dhe gjithmonë raportet e mia drejtuar bordit tonë përfundonin me përfundimin se shqiptarët vazhdojnë të luftojnë për të drejtat dhe sigurinë e tyre, sepse qeveritë, veçanërisht në Shkup dhe Beograd, nuk duan të garantojnë sigurinë e shqiptarëve (si brenda vendit ashtu edhe në Kosovë) dhe kështu refuzojnë zhvillimin drejt respektimit të të drejtave të njeriut.
Prej disa vitesh nuk kam qenë më këtu dhe konstatoj se respektimi i të drejtave të njeriut ka shënuar përparime, por ende është larg realizimit të plotë.
Me zhgënjim të madh kam konstatuar se në disa qytete të Maqedonisë së Veriut fëmijëve shqiptarë u mohohet e drejta themelore për t’u arsimuar në gjuhën e tyre amtare. Një kufizim i tillë përbën shkelje të nenit 26 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, përkatësisht të së drejtës për arsim. Aty thuhet shprehimisht se arsimi duhet të jetë i orientuar drejt zhvillimit të plotë të personalitetit njerëzor. Po ashtu, u garanton prindërve të drejtën parësore për të zgjedhur llojin e arsimit që fëmijët e tyre duhet të marrin. Dhe nëse ata duhet të arsimohen në gjuhën shqipe, kjo nuk është vetëm e drejta e tyre, por edhe detyrim i shtetit për të krijuar kushtet e nevojshme.
Kam konstatuar gjithashtu se ende ka shqiptarë që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm, të cilët janë dënuar mbi bazën e proceseve gjyqësore të motivuara politikisht dhe të fabrikuara. Kjo përbën shkelje të nenit 7 (barazia para ligjit) dhe nenit 10 (e drejta për një proces gjyqësor të drejtë). Sipas nenit 7, të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë për mbrojtje të barabartë kundër çdo diskriminimi. Sipas nenit 10, çdo njeri ka të drejtë për një proces të drejtë dhe të paanshëm para një gjykate të pavarur dhe të paanshme. Sipas rasteve që më janë të njohura, ky parim është shkelur.
Kam konstatuar gjithashtu se në mbi 100 raste qytetarëve shqiptarë u është hequr e drejta e pronës. Kjo është një shkelje flagrante e nenit 17, e drejta për pronë. Sipas paragrafit 2 të këtij neni, askush nuk duhet të privohet në mënyrë arbitrare nga prona e tij.
Si veçanërisht diskriminuese më janë përshkruar gjuha e urrejtjes dhe parullat haptazi raciste të grupeve nacionaliste, të cilat i njoh ende nga vizitat e mia të mëparshme në Maqedoninë e Veriut. Më vjen shumë keq që duket se nuk ka ndryshim mendësie në qeveri, në mënyrë që të miratohen ligje që e ndëshkojnë këtë sjellje në hapësirën publike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të ketë parasysh se trajtimi i pakicave kombëtare është një nga kriteret kyçe për anëtarësimin në BE. Për sa kohë që vazhdon kjo gjendje e përshkruar, Shoqata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut jo vetëm që nuk do të japë rekomandim për anëtarësim, por do të kërkojë ndjekjen penale dhe ndëshkimin e kësaj sjelljeje të gabuar të qytetarëve të saj.
Konstatoj se në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të ekzistojnë shkelje të rënda të disa neneve të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, të cilat pasqyrohen edhe në dy nenet themelore, nenin 1 dhe 2. Aty thuhet shprehimisht:
Neni 1: Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata janë të pajisur me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit në frymën e vëllazërisë.
Neni 2: Çdo njeri gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë, pa asnjë dallim, si p.sh. sipas racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, bindjes politike ose tjetër, origjinës kombëtare ose shoqërore, pasurisë, lindjes ose çdo statusi tjetër.
Të nderuar anëtarë, miq, zonja dhe zotërinj,
Shoqata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe të gjithë anëtarët e saj në mbarë botën qëndrojnë në krahun tuaj në luftën për zbatimin e këtyre të drejtave!
Me respekt,
Karl Hafen
30 vjet Drejtor Ekzekutiv i Seksionit Gjerman,
35 vjet anëtar i Bordit të Këshillit Ndërkombëtar të IGFM