Nëse planifikoni larje, gatim apo ndezjen e bojlerit – kjo është një informacion që ia vlen ta dini. Edhe në vitin 2026, tarifa ditore e lirë e energjisë elektrike në Maqedoni mbetet në të njëjtin orar: nga ora 13:00 deri në 15:00.
Ky interval dyorësh gjatë ditës është i dedikuar për konsum më të lirë dhe përbën një rrallësi në rajon – një tarifë e tillë ditore e lirë, përveç Maqedonisë së Veriut, ekziston vetëm edhe në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës.
Përveç tarifës ditore, për amvisëritë është thelbësore edhe tarifa e lirë e natës. Ajo aktualisht fillon në ora 22:00, por në të ardhmen është e mundur të ketë ndryshim. Analizat tregojnë se rryma e lirë mund të ruhet edhe gjatë ditës, por me shtyrjen e fillimit të tarifës së natës nga ora 22:00 në 00:00.
Arsyeja është se pas orës 22:00 çmimet e energjisë elektrike në tregjet energjetike janë jashtëzakonisht të larta, ndërsa gjatë ditës – sidomos rreth mesditës – ato janë më të ulëtat.
Megjithatë, ndryshimet eventuale nuk do të zbatohen në mënyrë të menjëhershme. Institucionet përgjegjëse theksojnë se bëhet fjalë për zakone që amvisëritë i kanë prej vitesh, prandaj çdo vendim do të shqyrtohet me kujdes.
Deri atëherë, rregulli mbetet i njëjtë:
– rryma e lirë ditore nga ora 13:00 deri në 15:00
– rryma e lirë e natës nga ora 22:00
Planifikimi i mençur i konsumit vazhdon të mbetet një nga mënyrat më efikase për kursim në amvisëri.