Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në emisionin “Klik Plus” në TV21 tha se aktualisht po punohet mbi kallëzime për diploma të falsifikuara dhe se ligji për momentin lejon vetëm shqiptimin e gjobave, por gjithashtu se së shpejti do të hyjë në fuqi Ligji i ri për Arsimin e Lartë, me ç’rast do të ketë procedura të tjera për këto diploma të falsifikuara.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe ne po punojmë për të konstatuar disa fakte që kanë ndodhur në të kaluarën, por ka indikacione se ato ndodhin edhe tani, ndonëse në një përqindje më të vogël. Më vjen keq të them se ligjet tona ekzistuese për arsimin e lartë kanë disa mangësi që nuk na lejojnë ta mbyllim plotësisht këtë problematikë, përndryshe do të mundnim. Kemi ndërmarrë hapa dhe ajo me të cilën po përballemi aktualisht është, së bashku me Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, i cili jashtë planit po zhvillon shumë hetime, dhe aktualisht po punohet mbi kallëzime. Të gjitha kallëzimet që na janë dorëzuar janë proceduar. Ligji nuk është i qartë se si duhet vepruar pasi të përfundojnë procedurat. Një pjesë e madhe e procedurave i kemi zgjidhur me gjoba për subjektin që ka kryer shkeljen. Këtu do të duhet të përfshihet edhe Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë”, deklaroi Janevska.