Këshilltari i ASH kërkon mbledhje urgjente dhe kompensim për familjet që u dëmtuan nga rënimi i murit në Tetovë
Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Arlind Murtezani, ka shprehur sot keqardhje për fatkeqësinë që ka prekur dy familje në Tetovë si pasojë e rrënimit të murit mbrojtës. Fatmirësisht, nuk raportohet për dëmtime në njerëz, por dëmet materiale për familjet janë të konsiderueshme.
“Si këshilltar komunal, i zgjedhur nga qytetarët e Tetovës, ndjej përgjegjësi personale dhe institucionale që të reagojmë dhe t’u dalim në ndihmë këtyre familjeve, si dhe qytetarëve të tjerë, për të parandaluar fatkeqësitë e ngjashme dhe rreziqet që mund të jenë edhe më fatale në të ardhmen,” tha Murtezani.
Ai njoftoi se i ka drejtuar një kërkesë kryesuesit të Këshillit Komunal të Tetovës dhe se do të kërkojë thirrjen e një seance urgjente me kolegët këshilltarë për të marrë masa konkrete. Këshilltari bëri të ditur se kërkesa e tij është publike dhe pret mbështetje pa dallime politike, etnike apo të tjera.
Murtezani theksoi se veprimet e menjëhershme janë të domosdoshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të shmangur rreziqe të ngjashme në të ardhmen./TS