Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se vendet që bëjnë biznes me Iranin, do të përballen me një tarifë prej 25% për tregtinë që bëjnë me SHBA-në.

Ky vendim vjen në kohën kur Irani po shtyp me forcë protestat antiqeveritare, në të cilat dyshohet se janë vrarë mijëra persona.

Por, çfarë do të thotë kjo për Kosovën, e cila importon disa produkte nga Irani?

Ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve në vend presin që efektet të jenë minimale, pasi shkëmbimet tregtare me Republikën Islamike janë të vogla dhe përbëjnë një pjesë të papërfillshme të ekonomisë kosovare, shkruan REL, transmeton KosovaPress.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vitin e kaluar, vlera e importeve nga Irani arriti në 17 milionë euro, ndërsa eksporte nuk u regjistruan.

Megjithatë, kjo shifër gati se është dyfishuar krahasuar me pesë vjet më parë.

Importi i Kosovës nga Irani

Kosova ka importuar mallra nga Irani me vlerë mbi 65 milionë euro gjatë pesë vjetëve të fundit, ndërsa eksportet drejt këtij vendi mbeten të pakta.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në këtë institucion janë të regjistruara
23 biznese nga Irani – pesë nga to janë aktive, 16 pasive dhe dy të shuara.

REL-i kërkoi shpjegime se çfarë veprimtarish ushtrojnë ato dhe është në pritje të përgjigjes.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, shpreh bindjen se politikat e Trumpit, sidomos sanksionet ekonomike, nuk e godasin drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës.

“Eksportet dhe importet Kosovë-Iran janë të papërfillshme, nuk ka investime iraniane në Kosovë dhe nuk ka varësi energjetike apo financiare”, thotë ai.

Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin.

Ekonomia e tij është dëmtuar rëndë si pasojë e keqmenaxhimit të financave publike gjatë viteve, rënies së të ardhurave nga shitjet e naftës dhe sanksioneve të ashpra ndërkombëtare.

Kjo ka shkaktuar rritje të çmimeve dhe dobësim të monedhës vendase, duke nxitur protesta masive, të cilat vlerësohen si kërcënimi më i madh për regjimin islamik në dekadat e fundit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com