Sektori i blegtorisë në Maqedoninë e Veriut po përballet me një krizë serioze dhe të zgjatur. Shumë blegtorë tashmë po i nxjerrin në shitje krerët e bagëtive përmes shpalljeve publike, ndërsa fermerët ankohen se subvencionet për krerë bagëtish për vitin 2025 ende nuk janë ekzekutuar, si dhe nuk është paguar as premia për qumështin për dhjetë muajt e fundit të vitit të kaluar, raporton portali Nezavisen.

Në gjendje veçanërisht të rëndë ndodhen edhe mbarështuesit e deleve dhe dhive. Sipas tyre, mungesa e subvencioneve dhe rritja e vazhdueshme e shpenzimeve po e bëjnë të paqëndrueshme veprimtarinë blegtorale.

Bekim Bexheti, blegtor nga rajoni i Tetovës, deklaron se sektori i qumështit dhe blegtoria në përgjithësi po përballen me një krizë të thellë. Ai thekson se në periudhën e fundit çmimi grumbullues i qumështit për fermerët është ulur edhe për 1 denar për litër, duke e përkeqësuar edhe më shumë gjendjen ekonomike të tyre.

“Ndërsa çmimi i qumështit vazhdimisht bie, shpenzimet për ushqimin e bagëtive rriten çdo ditë. Çmimi i barit dhe i jonxhës është rritur ndjeshëm, ku një balë jonxhë arrin deri në 5 euro, çka e bën pothuajse të pamundur mbajtjen e bagëtive”, shprehet Bexheti.

Ai shton se situata rëndohet edhe më shumë për shkak të mosshlyerjes me kohë të subvencioneve, duke i lënë fermerët pa mbështetje financiare në një moment kritik. “Nëse kjo gjendje vazhdon, vihet seriozisht në pikëpyetje mbijetesa e fermerëve, prodhimi vendor i qumështit dhe i gjithë zinxhiri i prodhimit ushqimor. Nevojitet reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse”, thekson ai.

Burimi: Nezavisen

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com