Kroacia nuk do t’i bashkohet “Këshillit të Paqes”, strukturë e prezantuar së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump, bëri të ditur kryeministri kroat Andrej Plenkoviç.
Duke folur për mediat, Plenkoviç deklaroi se vendimi është marrë pas një analize të qeverisë, pa dhënë detaje konkrete për arsyet e mosangazhimit.
“Qëndrimi i qeverisë është që, për momentin, Kroacia të mos i bashkohet Këshillit të Paqës për disa arsye, të cilat nuk do t’i bëjmë publike,” u shpreh ai.
Më herët, qeveria kroate kishte njoftuar se vendi ishte ftuar të bëhej pjesë e kësaj strukture, e cila pritet të drejtohet nga Donald Trump. Plenković kishte theksuar se, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, Kroacia do të priste fillimisht një qëndrim të përbashkët të BE-së për këtë nismë.
Krijimi i “Këshillit të Paqes” u shpall javën e kaluar nga Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, fillimisht si pjesë e një plani amerikan për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.