Në ditën kur kompania furnizuese me energji elektrike KESCO ka kërkuar që çmimi i energjisë elektrike për vitin 2026 të rritet për 21.3 për qind, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti gjatë një vizite të tij të enjten në Qendrën e Inovacionit të Kosovës duke folur për shpenzimet për ngrohje ai tha se qytetarët e Kosovës pëlqejnë ta kenë shumë nxehtë brenda apartamentit.

“Duhet me menaxhu faktin që po ngrohemi shumë me rrymë. Përveç që ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të larta se sa që është normale. Kena qejf nxehtë”, ka thënë Kurti në manifestim.

Videoja ku Kurti flet për ngrohjen është postuar nga portali “Raporto 24”.

“Sa i përket konsumit duhet me menaxhu sidomos ngrohjen. Sa i përket rritjes ekonomike natyrisht kjo do të kërkojë edhe më tepër energji”, ka thënë Kurti.

Kompania furnizuese me energji elektrike, KESCO, ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21.3 për qind për vitin 2026.

Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe tani i takon këtij institucioni të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo propozimin për rritjen e çmimit të rrymës.

Sipas aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.

Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro – të cilat ishin aprovuar nga ZRRE-ja.

Në rast se ZRRE-ja aprovon edhe këtë herë kërkesën e KESCO-s, atëherë do të jetë hera e tretë në katër vjetët e fundit që rritet çmimi i rrymës.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com