Liverpooli ka regjistruar një fitore të madhe në transfertë ndaj Olympique Marseille, duke triumfuar me rezultat 0-3 në stadiumin Velodrome.
Skuadra angleze e nisi fuqishëm ndeshjen dhe në minutën e 23-të realizoi me Hugo Ekitike, por goli u anulua pas rishikimit nga VAR.
Epërsia u konkretizua në fund të pjesës së parë, kur Dominik Szoboszlai shënoi një gol të bukur nga goditja e lirë në minutën e 45-të, duke kaluar Liverpoolin në avantazh.
Në pjesën e dytë, “The Reds” vazhduan me kontrollin e lojës dhe në minutën e 73-të dyfishuan rezultatin, kur pas një asistimi nga Frimpong, portieri i Marseille, Rulli, shënoi autogol.
Në minutat shtesë, Cody Gakpo vulosi fitoren me golin e tretë, duke i dhënë Liverpoolit një sukses bindës në Francë.
Me këtë fitore, Liverpooli ngjitet në pozitën e katërt me 15 pikë, ndërsa në ndeshjen e ardhshme do të presë Qarabağun në Anfield.
Në anën tjetër, Marseille mbetet në vendin e 19-të me nëntë pikë, ndërsa në xhiron e fundit do të luajë në transfertë ndaj Club Brugge.