Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë mbetet e vendosur në kërkesën për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe paralajmëron se, nëse nuk ka zgjidhje, nga e hëna do të nisë me bllokada. Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski deklaron se Qeveria nuk mban përgjegjësi direkte për këtë çështje dhe se paga minimale duhet të zgjidhet përmes dialogut mes punëtorëve dhe punëdhënësve, ndërsa Qeveria mund të ketë vetëm rol ndërmjetësues.

“Qëndrimi ynë është i qartë, punëtorët dhe punëdhënësit janë ata që përmes dialogut bipartit duhet të gjejnë zgjidhje për pagën minimale. Qeveria, në kuadër të Këshillit Ekonomik-Social, është vetëm fasilituese. Si punëdhënësi më i madh, marrëdhëniet tona me punëtorët tashmë janë të rregulluara. Mbetet edhe një pjesë e vogël prej rreth 7.700 deri në 7.800 nëpunës administrativë. Oferta është në tryezë dhe, nëse sindikatat pajtohen, jemi të gatshëm ta pranojmë menjëherë. Propozimi ynë parashikon që brenda dy vitesh e dy muajsh, të punësuarit në administratën shtetërore të kenë të ardhura më të larta për së paku 40 për qind.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

LSDM: Paga minimale nuk mjafton, duhet të rritet tani

Ndërkohë, LSDM ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë, duke kërkuar rritje të menjëhershme të pagave dhe jo premtime apo projeksione për dy apo katër vite.

Sipas opozitës, politikat aktuale ekonomike nuk përputhen me shpenzimet reale të jetesës dhe nevojat e përditshme të qytetarëve.

“Punëtorëve nuk u duhen justifikime dhe as paralajmërime për vitin 2028. Pagat duhet të rriten tani, sepse paratë nuk u mjaftojnë nga muaji në muaj. A priti Mickoski dy vite për të blerë orë prej 65.000 eurosh? Të dhënat tregojnë se shpenzimet minimale mujore të një familjeje katër anëtarëshe në janar 2026 kanë arritur në 66.413 denarë, që do të thotë se as dy paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar nevojat bazë. Punëtorët po luftojnë për një copë bukë dhe nuk mund të presin deri në vitin 2028.” – thonë nga LSDM.

Sipas LSDM-së dhe sindikatave, Maqedonia aktualisht ka pagën minimale më të ulët në rajon dhe në Evropë. Në Kosovë, paga minimale po rritet nga 350 në 500 euro në dy faza, në Shqipëri nga 1 janari 2026 ajo do të jetë 500 euro, në Serbi është rritur në 500 euro, ndërsa në Mal të Zi varion nga 600 deri në 800 euro.

Kujtojmë se më 28 janar, në Shkup u mbajt protestë e organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, me kërkesë për pagë minimale prej 600 eurosh. Aktualisht, paga minimale në vend është 400 euro.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com