Manchester City ka rënë dakord të përmbushë klauzolën e lirimit të Antoine Semenyo-s, në vlerën e 65 milionë paundëve, e cila duhet të aktivizohet deri më 10 janar.
Anësori i Bournemouth pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore pas ndeshjes së ‘Cherries’ kundër Tottenhamit, që zhvillohet të mërkurën në orën 19:30 GMT.
Pavarësisht interesimit nga disa klube të mëdha, përfshirë Chelsean, Liverpoolin, Manchester Unitedin dhe vetë Tottenhamin, Manchester City ka qenë i vetmi ekip që ka bërë kontakt zyrtar me Bournemouthin.
Trajneri i Bournemouth, Andoni Iraola, la të kuptohet se largimi i lojtarit mund të jetë i afërt. “Mendoj se mund të jetë ndeshja e fundit”, u shpreh ai përpara përballjes me Spurs. “Ky është mendimi im personal. Nuk ka asgjë të rënë dakord dhe asgjë të nënshkruar. Ai është ende lojtari ynë dhe shpresoj të vazhdojë kështu.”
Semenyo po kalon një sezon të shkëlqyer, me nëntë gola dhe tre asistime në të gjitha kompeticionet për Bournemouth. Iraola theksoi gjithashtu se sulmuesi ndërkombëtar i Ganës është “pothuajse i pamundur për t’u zëvendësuar”.