Mickoski: Edhe në prill 2026 do të ketë rritje lineare të pensioneve, me këtë po ulet “koeficienti Gini” dhe varfëria te kjo grupmoshë qytetarësh
Gjatë vizitës së sotme në Komunën e Kavadarit, kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, u ndal te rritja e pensioneve në periudhën e ardhshme.
“Do të ketë sërish rritje lineare të pensioneve për pensionistët në prill, për pensionin e muajit mars. Ne vazhdojmë me këtë politikë. Parametrat e fundit statistikorë të publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave për nivelin e varfërisë dhe ‘koeficientin Gini’ vetëm sa e arsyetojnë më shumë politikën e Qeverisë për rritjen lineare të pensioneve, fillimisht rritja prej 2.500 denarësh që u realizua në nëntor për pensionin e tetorit 2024, pastaj edhe 2.500 denarë shtesë në prill për pensionin e marsit, si dhe 1.000 denarë rritje lineare shtesë në nëntor për pensionin e tetorit 2025. Kështu do të jetë edhe tani, në prill, për pensionin e marsit 2026”, u shpreh Mickoski.
Ai theksoi se me këtë synohet ulja e shkallës së varfërisë te kjo grupmoshë qytetarësh dhe, rrjedhimisht, edhe ulja e “koeficientit Gini”, i cili nënkupton pabarazi në shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të ndryshme të qytetarëve.
“Në këtë drejtim po ecim mirë, sa i përket “koeficientit Gini” jemi më të mirët në rajon dhe mbi mesataren evropiane, ndërsa lufta kundër varfërisë është një nga qëllimet kryesore të kësaj Qeverie dhe do të vazhdojmë edhe më tej të lëvizim në këtë drejtim”, tha kryeministri Mickoski.