Mickoski: Ekonomia e Maqedonisë është stabilizuar, aktualisht vendi ka tatimet më të ulëta në Evropë
Kryeministri Hristijan Mickoski, në emisionin Click Plus në TV21, foli për shumë tema, përfshirë edhe ekonominë. Ai tha se ekonomia e Maqedonisë është stabilizuar, dhe se aktualisht vendi ka tatimet më të ulëta në Evropë.
Mickoski mes tjerash theksoi se pavarësisht presioneve për rritje të TVSH-së, tatimit mbi fitimin dhe periudhës së punës për pensionim, Qeveria nuk ka vepruar në këtë drejtim.
“Kishim presion për të rritur TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, por nuk e bëmë. Nga ana tjetër, pati presion për të rritur periudhën e punës, domethënë moshën për pensionim, dhe as këtë nuk e bëmë, sepse i lamë punonjësit dhe punëdhënësit të bien dakord vetë. Ofruam kredi subvencionuese prej 250 milionë eurosh dhe deklarova se kemi rritjen më të madhe të portofolit të kredive për investime në sektorin privat”, tha Mickoski.