Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se inflacioni vjetor në vend pritet të jetë rreth 4 për qind, duke theksuar se Qeveria është e përqendruar në kontrollin e çmimeve dhe mbrojtjen e qytetarëve nga praktikat e padrejta tregtare raporton Tetovasot.

Sipas Mickoskit, institucionet kompetente tashmë po realizojnë kontrolle të shpeshta në terren, përmes Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Komisionit për Mbrojtje të Konkurrencës, me qëllim parandalimin e manipulimeve të çmimeve nga rrjetet e supermarketeve.

“Rreth 4 për qind mendoj se do të jetë inflacioni i vitit. Për këtë flasim me muaj. Ajo që po bëjmë janë kontrolle të shpeshta nga Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Komisioni për Mbrojtje të Konkurrencës. Do të propozojmë ndryshime ligjore për vitin e ardhshëm, me gjoba dukshëm më të larta për të gjitha rrjetet e supermarketeve që manipulojnë me Ligjin për Praktika të Padrejta Tregtare,” deklaroi Mickoski.


Ai theksoi se për disa rrjete tregtare tashmë ekzistojnë dëshmi konkrete për shkelje dhe paralajmëroi masa më rigoroze nëse praktikat e tilla vazhdojnë.

“Nëse vazhdojnë ashtu si deri më tani, do të duhet t’i vendosin dry derës,” tha Mickoski, duke shtuar se Qeveria nuk do të tolerojë abuzime në kurriz të qytetarëve.

Ndryshimet ligjore pritet të hyjnë në procedurë gjatë vitit të ardhshëm dhe synojnë forcimin e mekanizmave ndëshkues ndaj subjekteve tregtare që shkelin rregullat e konkurrencës dhe rrisin çmimet në mënyrë të pajustifikuar.TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com