Mickoski: Kush e di sa mijëra euro janë murosur, janë ngrënë dhe janë shpenzuar, kjo është vetëm pasojë e zgjedhjes së gjyqtarëve në njëmendësi në vitin 1996 dhe implantit antikushtetues PSP
Presumimi i pafajësisë duhet të respektohet nga të gjithë dhe askush nuk është fajtor derisa kjo të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë. Por, nga ana tjetër, tani po flas si njeri, nëse vërtet është e saktë që ato mjete të murosura janë objekt i një transaksioni ligjor, shitje toke apo diçka e ngjashme, atëherë përse janë në mur?! Logjikisht, ato duhet të gjenden diku tjetër, e jo në mur. Dhe nëse është kështu, kur hetuesit vijnë në shtëpinë tuaj dhe kontrollojnë banesën, atëherë është logjike t’u thoni, shikoni unë për t’u mbrojtur nga hajdutët i kam murosur paratë në mur, nëse gërmoni këtu do të gjeni 350 mijë euro. Por kur t’i gjeni, duhet të dini se ato janë nga ajo dhe ajo tokë e shitur. Kjo është logjike, e jo të prisni që pas dy ditësh të zbulohen – deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve për koment mbi gjendjen në gjyqësor dhe aferën aktuale për paratë e gjetura të murosura në mur.
Sipas kryeministrit, edhe më dramatik është fakti se ky rast mund të jetë një nga qindra, ndoshta mijëra raste në historinë e pavarësisë së shtetit.
Thelbi i problemit qëndron në dy procese. Procesi i parë është zgjedhja e qindra gjyqtarëve në Kuvend në periudhën 1994–1998, mendoj se ishte viti 1996, kur ata u zgjodhën me njëmendësi, sepse për fat të keq opozita atëherë vendosi të bojkotojë raundin e dytë të zgjedhjeve të vitit 1994, ndaj nuk kishte përfaqësues të vet dhe në Kuvend mbizotëronte njëmendësia. Edhe sot këta gjyqtarë i gjykojnë popullit të Maqedonisë dhe drejtësisë së shtetit. Ky është, sipas meje, shembulli i parë i keq. Shembulli i dytë i keq është ai implant antikushtetues i PSP-së, i cili edhe sot paraqet problem për drejtësinë në Maqedoni – theksoi Mickoski, duke shtuar se rasti me 350 mijë eurot të murosura në mur është vetëm pasojë.
Kush e di sa mijëra euro të tilla janë murosur, janë shpenzuar, janë ngrënë e janë pirë dhe nuk di çfarë tjetër. Dhe për këtë arsye është i tillë edhe perceptimi për të gjithë ata që duhet të jenë mbrojtës të drejtësisë. Jo të gjithë janë të tillë, një pjesë e vogël janë, por ajo pjesë e vogël i kontaminon të gjithë – deklaroi Mickoski dhe vuri në dukje se kjo është arsyeja kryesore pse nuk ka drejtësi në Maqedoni dhe pse qytetarët dhe investitorët ndiejnë pasiguri juridike.
Ta lëmë gjykatën të vendosë dhe ai që është fajtor të përgjigjet. Por dua t’ju kujtoj se ky rast kishte edhe “pjesë të parë”, ndërsa kjo me paratë e murosura është “pjesa e dytë”. Duhet t’i shohim gjërat në mënyrë holistike – konstatoi kryeministri Hristijan Mickoski dhe theksoi se për Qeverinë nuk ka opsion tjetër dhe asnjë zgjedhje tjetër përveç luftës për drejtësi.