Mickoski: Ofruam rritje të pagave për nëpunësit administrativë për rreth 40 për qind, LSM-ja e refuzoi rritjen
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve në seancën e sotme parlamentare, thotë se në protestën e djeshme të LSM-së janë paraqitur shumë gënjeshtra dhe të pavërteta, sepse, siç tha ai, i kanë ofruar LSM-së rritje të pagave të nëpunësve administrativë prej 8 për qind deri në vitin 2028, me çka ajo do të rritet përafërsisht për rreth 40 për qind, ndërsa sa i përket pagës minimale, ai theksoi se ajo sipas ligjit do të rritet në mars me pagën e prillit, por kur të arrijnë marrëveshje punëdhënësit dhe punëtorët, Qeveria është e gatshme ta mbështesë dhe ta pranojë atë që është rënë dakord.
E para dhe më e rëndësishmja është se qeveria është ajo që ndërmjetëson në atë dialog dypalësh mes punëdhënësve dhe punëtorëve, dhe kjo është një sjellje parimore e pjekur, dhe kështu duhet të sillet çdo qeveri.
Së dyti, parimisht mbështes çdo iniciativë të çdo punëtori që del në mënyrë demokratike dhe kërkon të drejtën e tij për pagë më të lartë. Dhe këtu duhet të jemi të gjithë unikë mbi baza mbipartiake, që çdo punëtor që dëshiron pagë më të lartë, duhet të mbështetet.
Punë e tretë, udhëheqësia e LSM-së dhe disa individë dje thanë shumë të pavërteta, gënjeshtra, konstruksione, por edhe të pavërteta që janë rezultat, supozoj, i imagjinatës së tyre të bujshme, por edhe i frustrimit që kanë në ëndrrat e tyre. Dhe kjo nuk meriton koment, ne nuk duhet ta komentojmë.
Unë jam seriozisht i zhgënjyer nga ata që duhet të jenë avangardë dhe udhëheqës, e mbi të gjitha njerëz me vetëdije intelektuale. Por dje pamë në skenë të hapur se janë plotësisht të politizuar, të instrumentalizuar dhe të udhëhequr nga zemërimi dhe urrejtja, më së shumti ndaj meje dhe kësaj qeverie – theksoi Mickoski.
Punë e katërt, thonë se kjo qeveri duhet të na ndihmojë në realizimin e të drejtave tona, sepse është punëdhënësi më i madh. Është e vërtetë, qeveria është punëdhënësi më i madh dhe për këtë arsye qeveria, duke qenë se është qeveri përgjegjëse ndaj kolegëve të saj, ndaj qytetarëve, që në fillim të mandatit të saj nënshkroi Kontrata Kolektive për periudhën 2024-2028, gjatë së cilës synon të jetë qeveri.
Nënshkruam Kontratë Kolektive me sindikatat e fushës së arsimit, shkencës dhe kulturës për një periudhë 4-vjeçare, si dhe me sindikatat nga fusha e shëndetësisë, për mjekët dhe punonjësit shëndetësorë. Pagë më të lartë morën të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, qendrat për punë sociale, një pjesë e madhe e institucioneve, agjencive, trupave rregullatorë etj., gjë që do të thotë diku rreth 95 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve.
Pra, ne me të punësuarit tanë, me kolegët tanë, kemi pasur dialog dhe atë dialog e kemi përmbyllur me Kontratë Kolektive për 4 vjet. Ne nuk morëm obligime për pas vitit 2028. Kështu që, për ta përmbledhur, ne si punëdhënës jemi përgjegjës dhe bashkë me përfaqësuesit e kolegëve tanë i kemi rregulluar marrëdhëniet tona – deklaroi ai dhe shtoi:
Paga më të larta duhet të kërkohen dhe secili që kërkon pagë më të lartë duhet të mbështetet. Por, adresa nuk është Qeveria, sepse ne i kemi rregulluar marrëdhëniet me kolegët tanë.Duhet të jenë punëdhënësit, por edhe e ata që për 7 vite ishin në pushtet dhe e vodhën dhe e shkatërruan këtë shtet, përfshirë edhe punëtorët, duke shantazhuar biznesin dhe duke e kërcënuar atë. Ata janë adresa e vërtetë për protestë. Dhe kur trajektorja të drejtohet kah ajo adresë tjetër, atëherë unë do të them në rregull, këto nuk janë të instrumentalizuara dhe të politizuara. Por, mesazhet që i dëgjova dje nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën, dhe këtë e dinë edhe anëtarët e kabinetit tim që ishin të pranishëm në ato takime.
Së pesti, rreth nëpunësve administrativë, ne u ofruam që vitin e kaluar, oferta është ende mbi tavolinë, tani për periudhën nga marsi, gjegjësisht paga e prillit 2026 deri në mars-prill 2028, që janë 2 vjet e 2-3 muaj. Çfarë është ajo që ofruam? Paga aktuale të jetë baza, e cila tani sigurisht do të rritet për vlerën e pagës minimale, dhe kjo shumë të rritet për 8 për qind tani në prill 2026. Vitin e ardhshëm, përsëri të rritet për pagën minimale dhe kjo shumë të rritet me 8 për qind të reja. Përsëri në vitin 2028 të rritet për pagën minimale dhe përsëri kjo shumë të rritet për 8 për qind. Kjo do të thotë se nga prilli i këtij viti deri në prill 2028, rritja do të jetë rreth 40 për qind, me nënshkrimin e kontratave kolektive individuale ose degëzore. Kemi një kusht: Kontrata Kolektive e përgjithshme ka skaduar, por fakti është se edhe pse ka skaduar, ajo mbetet në fuqi deri në nxjerrjen e një të reje. Të paktën pjesën që është konfuze dhe e paqartë për pagat ta fshijmë dhe të negociojmë një formulim të ri që do të jetë i unifikuar, sepse tani kemi 4-5 dokumente në të cilat thirren nëpunësit administrativë. Kemi periudhë të mjaftueshme prej 3 vjetësh për të negociuar që pas vitit 2028, gjegjësisht 2029, gjithçka të jetë e unifikuar. Nga LSM-ja e refuzuan, sepse ata janë nënshkrues nga koha kur kishin monopol në përfaqësimin e sindikatave me qeverinë e kaluar. Dhe thoshin: “pasi ne e kemi nënshkruar, si do të fshihemi tani”. Ja, kjo është e vërteta – theksoi Mickoski.
Kjo ofertë qëndron mbi tavolinë për të gjithë nëpunësit administrativë, që janë 7700 për momentin. Kur kjo të zgjidhet, 99 për qind e kolegëve tanë do të kenë marrëdhënie të rregulluara me ne si qeveri, si punëdhënës. Kjo është mbi tavolinë, jemi të gatshëm ta nënshkruajmë dhe ta pranojmë menjëherë – është i prerë Mickoski. Ndërsa në pjesën e pagës minimale, sipas ligjit, pasi ne duhet të veprojmë sipas ligjit, tani do të ketë rritje. Dhe në momentin e parë kur punëtorët dhe punëdhënësit do të merren vesh, ne si palë do ta mbështesim dhe do ta zbatojmë atë – përfundoi kryeministri Mickoski.