Mickoski: Opozitë e papërgjegjshme dhe jokonstruktive, shumica qeverisëse mund ta shfuqizojë vetë Qeverinë teknike
Kryeministri Hristijan Mickoski ka akuzuar opozitën për papërgjegjësi dhe mungesë konstruktiviteti, duke komentuar refuzimin e kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, për të marrë pjesë në takimin e liderëve, ku pritet të diskutohet për heqjen e Qeverisë teknike dhe arritjen e konsensusit për ligjet reformuese.
Siç raporton Tetovasot, Mickoski theksoi se pushteti ka shumicë të mjaftueshme parlamentare për ta shfuqizuar vetë Qeverinë teknike, por ka insistuar që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe me dialog politik.
“Ne me 61 deputetë në Kuvend mund ta ndryshojmë Ligjin për Qeverinë dhe ta fshijmë Qeverinë teknike. Nuk kemi nevojë për mendimin e opozitës, por duam që procesi të jetë gjithëpërfshirës. Kemi shumicë të kryetarëve të komunave, më shumë se 90 për qind janë nga koalicioni qeverisës dhe rreth dy të tretat e Kuvendit. Nëse do të silleshim në mënyrë të papjekur dhe papërgjegjshme, mund ta bënim këtë pa takim liderësh”, deklaroi Mickoski, citon Tetovasot.
I pyetur nëse ky takim lidhet me zgjedhje të parakohshme parlamentare, Mickoski ka mohuar një gjë të tillë, duke theksuar se fokusi i qeverisë janë reformat dhe projektet zhvillimore.
“Prioriteti ynë janë reformat dhe projektet. Nuk i kemi prioritet zgjedhjet. Qytetarët e kanë treguar qartë mbështetjen, si në zgjedhjet lokale, ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale”, theksoi kryeministri, raporton Tetovasot.
Mickoski bëri të ditur se, pavarësisht refuzimit nga LSDM, ftesat formale do t’u dërgohen sot dhe nesër të gjithë liderëve të partive politike. Takimi i liderëve pritet të mbahet më 14 janar, në ora 12:00, në Klubin e deputetëve.
Sipas kryeministrit, përveç Qeverisë teknike dhe ligjeve reformuese, në këtë takim pritet të diskutohet edhe çështja e Avokatit të Popullit.