Secili ka të drejtë të protestojë, thotë kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën e sotme në emisionin Click Plus në TV21, lidhur me protestat e paralajmëruara nga një pjesë e organizatave sindikale.
Kryeministri Mickoski theksoi se nuk ka asgjë kundër të ardhurave më të larta, por vlerëson se qëllimi i sindikatave është përballje politike, e jo rritja e pagave për punëtorët.
“I pashë kërkesat, nuk është diçka e re. Absolutisht unë jam gjithmonë për të ardhura më të larta. Secili duhet të marrë të ardhura më të larta, këtu nuk ka dilemë dhe askush nuk ka mendim të kundërt. Por ajo që duhet të thuhet dhe të shikohet e vërteta në sy është fakti se disa persona që janë pjesë e udhëheqjes së këtij sindikati janë plotësisht të kapur nga ambicie të caktuara politike dhe figura politike. Dhe të gjita këto që që po bëjnë atje kanë një detyrë të tillë, një qëllim të tillë. Qëllimi këtu nuk është human, dhe tani ata dalin dhe bëjnë thirrje për protesta që punëtorët të marrin paga më të larta, përkundrazi.”
Në pyetjen nëse mendon se thirrja e nesërme për protestë nga LSM-ja ka prapavijë politike, Mickoski u përgjigj:
“Absolutisht. A duhet dikush të ketë dilemë për një protestë të sindikatave që është paralajmëruar disa javë më parë, ndërsa zhvillohet disa ditë pas mbajtjes së Kongresit të një partie politike? Mendoj se këtu askush nuk duhet të ketë dilemë.”
Mickoski thotë se udhëheqja e LSM-së mendon se në këtë mënyrë do t’i shkaktojë dëm Qeverisë, por siç u shpreh, nuk bëhet fjalë për paga më të larta, por për një kërkesë sindikale që është e kapur nga politika dhe nga politikanë të caktuar të opozitës.
“Ata mendojnë se në këtë mënyrë do t’i shkaktojnë dëm Qeverisë. Thelbi nuk është paga më e lartë për punëtorët, por mendojnë se do të shkaktojnë dëm, sepse kryesimi i tyre dhe mënyra e funksionimit në sindikatë është me vijë familjare, njëri ia kalon tjetrit. Shikoni, për shembull, prindërit e një pjese të udhëheqjes së LSM-së, ku kanë qenë më parë kryetarë, në cilat sindikata – do t’ju qartësohet se si funksionon ajo strukturë. Kështu që, absolutisht nuk bëhet fjalë për asnjë të drejtë të punëtorëve, nuk bëhet fjalë për asgjë që lidhet me paga më të larta për punëtorët, por për një kërkesë sindikale që është e kapur nga politika dhe nga politikanë të caktuar të opozitës”, ishte i prerë Mickoski.