Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi realizoi takim me Ambasadoren e Republikës së Kroacisë, SH.S. Nives Tiganj
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, realizoi takim pune me Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.S. Nives Tiganj, në të cilin u diskutuan situatat dhe perspektivat për avancimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve mike.
Në takim u konstatua se marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe lidhjet tradicionalisht të mira dypalëshe krijojnë bazë të fortë për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të biznesit, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian dhe lidhjes rajonale.
Ministri Durmishi theksoi dinamikën pozitive në shkëmbimin e tregtisë së jashtme, me ç’rast tregtia e përgjithshme midis dy vendeve shënon rritje të vazhdueshme, ndërsa eksporti i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kroaci në vitet e fundit shënon rritje të konsiderueshme. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se ka potencial shtesë për thellimin e bashkëpunimit në sektorët kryesorë siç janë industria ushqimore, energjetika, farmacia, ndërtimtaria, prodhimi industrial dhe turizmi.
Theks i veçantë iu kushtua investimeve direkte të huaja, me ç’rast u theksua trendi në rritje të investimeve kroate në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, industrinë përpunuese dhe veprimtaritë e TI-së. Ministrja theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në krijimin e klimës së favorshme afariste dhe stimujt shtesë për të tërhequr investime të reja dhe për të krijuar vende cilësore pune.
Të dy bashkëbiseduesit rikonfirmuan gatishmërinë e tyre të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të diplomacisë ekonomike, organizimin e forumeve të biznesit dhe mbështetjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë midis odave ekonomike dhe kompanive nga Maqedonia e Veriut dhe Kroacia, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht potencialet ekonomike në interes të qytetarëve të të dy shteteve.


