Ministria e Shëndetësisë: Ndërron jetë fëmija i plagosur rëndë, apel i fortë kundër përdorimit të mjeteve piroteknike
Fëmija i plagosur rëndë gjatë festimeve të Vitit të Ri është pranuar fillimisht në Qendrën e Urgjencës dhe, për shkak të gjendjes kritike shëndetësore, është transferuar për trajtim të specializuar në Klinikën e Neurokirurgjisë, në repartin e kujdesit intensiv informon Tetovasot .
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, fëmija është intubuar, është vendosur në ventilim mekanik, i është administruar terapi antibiotike dhe antiedematoze, si dhe ka qenë nën monitorim të vazhdueshëm 24-orësh nga stafi mjekësor. Shkalla e rëndë e dëmtimit të indit trunor nuk ka lejuar ndërhyrje kirurgjikale.
“Pavarësisht përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor, përfundimi ka qenë tragjik”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Institucioni shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e fëmijës në këto momente jashtëzakonisht të vështira.
Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë u bën edhe një herë apel të gjithë qytetarëve që festat e Vitit të Ri të shënohen në mënyrë të qetë dhe dinjitoze, pa përdorimin e mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve dhe, veçanërisht, pa përdorimin e armëve të zjarrit.
“Sjellja e papërgjegjshme mund të ketë pasoja serioze dhe, fatkeqësisht, edhe fatale”, përfundon kumtesa.