Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë miratuar ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, duke i hapur rrugë zbatimit të projektit “Safe City”, i cili parashikohet të fillojë më 1 shkurt informon Tetovasot.
Ndryshimet ligjore u votuan me 81 vota pro, ndërsa në sallë në momentin e votimit ishin të pranishëm 100 deputetë. Kundër këtyre ndryshimeve votuan 19 deputetë, ndërsa nuk pati asnjë të përmbajtur.
Me miratimin e këtij ligji, institucionet krijojnë bazë ligjore për funksionimin e sistemit “Safe City”, i cili parasheh përdorimin e kamerave inteligjente për monitorimin e trafikut dhe sanksionimin automatik të shkeljeve rrugore.
Autoritetet kanë deklaruar se qëllimi i këtij sistemi është rritja e sigurisë në komunikacion dhe ulja e numrit të aksidenteve, ndërkohë që projekti ka ngjallur debat publik lidhur me privatësinë, mënyrën e zbatimit dhe lartësinë e gjobave.
Zbatimi praktik i “Safe City” pritet të nisë më 1 shkurt, duke shënuar një fazë të re në kontrollin dhe menaxhimin e trafikut në vend.TS