Nga sonte në mesnatë, ashtu edhe siç ishte paralajmëruar nga autoritetet, nis zyrtarisht zbatimi i sistemit “Safe City”. Me këtë, përfundon periudha paralajmëruese dhe ajo e testimeve, ndërsa nis shqiptimi i gjobave për shkeljet në trafik.
Kamerat e trafikut, të vendosura në pika kyçe në Shkup, Kumanovë, Tetovë, si dhe përgjatë Korridoreve 8 dhe 10, do të regjistrojnë automatikisht shkeljet dhe do të dërgohen në mënyrë elektronike, pa pasur nevojë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Policisë.
“Në fazën e parë, sistemi do të detektojë katër lloje shkeljesh: parkim të parregullt, tejkalim të shpejtësisë së lejuar, drejtim të automjetit me afat të skaduar të lejes së qarkullimit si dhe kalim në dritë të kuqe. Sistemi “Qytet i Sigurt” është një investim i rëndësishëm për sigurinë rrugore për të gjithë qytetarët dhe gjithë shtetin, të do të shpëtojë jetë, do të rregullojë trafikun dhe do t’i sanksionojë të gjithë ata që nuk do të respektojnë rregullat e trafikut në dëm të vetes dhe pjesmarrësv e në komunikacion.” – tha Goce Andreevski nga MPB.
Ministria e brendshme u bën apel shoferëve pjesmarrës në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë në krijimin e rrugëve më të sigurta dhe më të mbrojtura në gjithë vendin.
Nga MPB gjithashtu apelojnë që qytetarët të kontrollojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në pikat për kontroll teknik ose në sportelin e veçantë në objektin e RTVM-së, pasi gjobat do të dërgohen në adresën e tyre elektronike.
Sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ hyn në fuqi pasi deputetët më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje. Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangësi të sistemit.
Në Gjykatën Kushtetuese tashmë janë dërguar nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij projekti.