Ka ndërruar jetë politikani kosovar, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.

I ndjeri ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit dhe edhe si President në detyrë të Kosovës pas vdekjes së Rugovës në vitin 2006.

Ai është themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe ka qenë aktiv në politikë edhe pas mandatit të tij si kryeparlamentar.


Lajmin e ka konfirmuar edhe ish-kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, një figurë të shquar të jetës politike dhe publike të vendit tonë. Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Kuvendit të Kosovës, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të vendit tonë. Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar Basha.

Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti, akademik. Lindi në Tërnoc të Bujanocit. Shkollimin e kreu në vendlindje dhe Leskovc (1960). Studimet e rregullta për kimi i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku mbaron edhe studimet pasuniversitare (1968). Një kurs pasuniversitar e kreu në Liezh, Belgjikë (1970).

Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt, dhe më pas bëhet sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i saj (1999–2002). Në vitin 2014 u zgjodh anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve (ALLEA) me seli në Salcburg. Anëtar i përhershëm i komitetit të ALLEAS për projekte shkencore u zgjodh në vitin 2015. N. Daci ka qenë aktiv në jetën politike dhe institucionale të Kosovës: në periudhën 2001–2011 u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës dhe në vitet 2001–2006 ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i saj.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com