Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) njoftoi se gjatë vitit 2025 në mbarë botën janë vrarë gjithsej 128 gazetarë dhe punonjës të mediave, prej të cilëve dhjetë ishin gra.

Lista e përditësuar e punonjësve mediatikë të vrarë në vitin 2025 dokumenton 17 raste shtesë vdekjeje që nga 10 dhjetori, pas publikimit të raportit të mëparshëm. Lista e publikuar më 31 dhjetor përfshin raste nga Rripi i Gazës, Tanzania, Peruja dhe Guatemala, si dhe një aksident në të cilin humbën jetën shtatë punonjës mediatikë në Nigeri, një rast të tillë në Burundi dhe një në Iran.

Në Lindjen e Mesme dhe botën arabe janë vrarë 74 gazetarë, prej të cilëve 56 në Autoritetin Palestinez, që përbën 58 për qind të të gjitha rasteve të gazetarëve dhe punonjësve mediatikë të vrarë në botë gjatë vitit 2025, sipas IFJ-së.


Ky rajon, për të tretin vit radhazi, mbetet më vdekjeprurësi për gazetarët dhe punonjësit e mediave.

Në vendin e dytë renditet Jemeni me 13 të vrarë, i ndjekur nga Ukraina me tetë gazetarë dhe punonjës mediatikë të vrarë.

Gjashtë gazetarë janë vrarë në Sudan, katër në Indi dhe në Peru, ndërsa disa vende të tjera, përfshirë Filipinet, Meksikën, Perunë dhe Pakistanin, kanë humbur nga tre gazetarë secila.

Në numrin e përgjithshëm të gazetarëve të vrarë janë përfshirë edhe nëntë raste vdekjesh aksidentale.

IFJ dënoi “edhe një vit tjetër vdekjeprurës për gazetarët” dhe “dështimin e vazhdueshëm të autoriteteve për t’i mbrojtur punonjësit e mediave”. Federata bën thirrje për “veprim urgjent dhe vendimtar për të ndërprerë ciklin e dhunës” dhe thekson se për këto krime ende mbizotëron pandëshkueshmëria.

– Bota nuk mund të presë më. Ka ardhur koha për një konventë të Kombeve të Bashkuara që do të garantojë sigurinë dhe pavarësinë e gazetarëve kudo, deklaroi sekretari i përgjithshëm i IFJ-së, Anthony Bellanger.

Në vitin 2024, IFJ regjistroi 122 raste vdekjesh të gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, mes të cilëve 14 gra, ndërsa 516 gazetarë ishin në burgje. Ndërkohë, në vitin 2025, 533 gazetarë dhe punonjës mediatikë janë të burgosur, me numrin më të madh në Kinë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com