“Me bllokadat duam të tregojmë se çfarë do të ndodhë pas 10 prillit dhe si do të ndërpritet zinxhiri i furnizimit, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë”, deklaroi kryetarja e Shoqatës së Transportit “Makam-trans”, Biljana Muratovska, në fillim të protestave në pikat kufitare.

Përveç në Maqedoni, protesta po zhvillohen edhe në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, ndërsa sot bllokadave do t’u bashkohen edhe transportuesit nga Turqia.

Protestat janë si pasojë e vendimit të Komisionit Evropian, me të cilin kufizohet qëndrimi në zonën Shengen nga 90 në 180 ditë edhe për shoferët profesionistë.

“Me këtë vendim Bashkimi Evropian po na ndalon të punojmë. Kur e dimë se me secilin shtet kemi marrëveshje bilaterale për transport, tani na thonë: kjo nuk vlen, keni leje, por nuk mund të punoni. Po bëhet diskriminim, sepse nga numërimi i ditëve të qëndrimit janë të përjashtuar të gjitha llojet e tjera të transportit – detar, hekurudhor dhe ajror. Pa ne, dyqanet do të mbeten bosh. Do të protestojmë shtatë ditë për të dërguar një sinjal, por pas 10 prillit kamionët do të qëndrojnë, sepse nuk do të ketë kush t’i vozisë”, tha Muratovska në konferencën për media në pikën kufitare Bllacë.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se Qeveria gjatë gjithë vitit ka biseduar me përfaqësues të Komisionit Evropian për këtë çështje, por deri më tani nuk ka pasur mirëkuptim nga ana e tyre.
“Ka tre opsione për zgjidhjen e këtij problemi: së pari, të shtyhet zbatimi i sistemit të ri elektronik për transportuesit; së dyti, të rritet leja e qëndrimit në 250 ditë; dhe së treti, transportuesit të mos trajtohen si turistë, por si profesionistë, dhe me leje pune të mund të tranzitojnë. Në të kundërtën, pasojat nuk do të jenë vetëm për ekonominë maqedonase, por edhe për vendet e zonës Shengen”, tha Nikolloski.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com