Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se ushtarët nga Turqia dhe nga Katari nuk do të hyjnë në Gaza dhe se rindërtimi i enklavës nuk do të ndodhë para demilitarizimit.
Netanyahu foli për fazën e dytë të planit të presidentit Donald Trump për Gazën, duke thënë se do të përmbushen interesat politike dhe të sigurisë të Izraelit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Tani po përqendrohemi në përmbushjen e dy misioneve të mbetura: çmontimi i armëve të Hamasit dhe demilitarizimi i Gazës nga armët dhe tunelet” – tha ai.
“Siç jam pajtuar me presidentin Trump… janë vetëm dy mundësi: kjo ose do të bëhet në mënyrën e lehtë, ose në mënyrën e zorshme, por, në cilindo rast, do të ndodhë. Tashmë po dëgjoj deklarata se ne do ta lejojmë rindërtimin e Gazës para demilitarizimit. Kjo nuk do të ndodhë” – paralajmëroi kryeministri izraelit.
“Po dëgjoj se do të sjellim ushtarë turq e nga Katari në Gaza. As kjo nuk do të ndodhë. Po dëgjoj se do ta lejojmë themelimin e një shteti palestinez në Gaza. Kjo nuk ndodhi dhe as nuk do të ndodhë” – shtoi Netanyahu.
“Mendoj se të gjithë ju e dini se ai që vazhdimisht e ndali themelimin e një shteti palestinez isha unë, bashkë me kolegët e mi në qeveritë që i kam drejtuar. As sot e nesër, ne nuk do ta lejojmë këtë” – tha më tej ai.
“Izraeli do ta mbajë kontrollin e sigurisë mbi tërë zonën, nga Lumi Jordan deri në det dhe kjo vlen edhe për Rripin e Gazës” – shtoi kryeministri izraelit.