Më shumë se 200 milionë amerikanë pritet të preken nga një stuhi e fortë dimërore, me reshje të dendura bore, shi ngrirës dhe temperatura ekstreme, njofton Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS).
Stuhia do të lëvizë nga perëndimi drejt lindjes, duke krijuar kushte “jashtëzakonisht të rrezikshme” dhe rrezik për hipotermi dhe ngrirje të lëkurës, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Qytete si Memphis, Nashville, Uashington DC, Filadelfia, Baltimore dhe Nju Jorku pritet të mbulohen nga bora, ndërsa në disa zona parashikohen mbi 30 cm reshje. Temperaturat e ndjera nga era në Rrafshinat Veriore mund të zbresin nën -46 gradë Celsius.
16 shtete kanë shpallur gjendje emergjence. Autoritetet paralajmërojnë për ndërprerje të udhëtimeve, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar për fundjavën. Shoferëve u kërkohet të shmangin lëvizjet, pasi udhëtimi mund të jetë pothuajse i pamundur gjatë kulmit të stuhisë.
Edhe pas kalimit të saj, një masë ajri arktik nga Kanadaja pritet të mbajë temperaturat shumë të ulëta në pjesën lindore të ShBA-së edhe javën e ardhshme.
Kryeqyteti amerikan, Uashington, shpalli gjendje emergjente për shkak të stuhisë së borës që pritet gjatë fundjavës. Masa ka hyrë menjëherë në fuqi, tha kryetarja e qytetit, Muriel Bowser.
Ajo tha se këto reshje bore do të jenë të mëdha, që nuk janë parë që një kohë të gjatë, duke shtuar se me gjasë do të ketë ngrica në rrugë. Ajo u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të sigurojnë ndriçim alternativ në rast të situatave emergjente.
Presidenti amerikan, Donald Trump, duke reaguar për stuhinë dimërore, kritikoi ekspertët e klimës.
“A mund të na shpjegojnë përkrahësit e mjedisit: ÇFARË NDODHI ME NGROHJEN GLOBALE”, shkroi ai në Truth Social.
Ngrohja globale nënkupton se temperaturat rriten gradualisht me një mesatare në terma afatgjatë.
Sipas ekspertëve, edhe shpeshtësia dhe intensiteti i ngjarjeve ekstreme të motit po nxit ngrohjen globale, përfshirë stuhitë dhe shirat e mëdha. /Klankosova.tv