Gazetari i Euronews, Xhensil Shkëmbi, ka sjellë detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur në Timișoara të Rumanisë, ku humbën jetën shtatë tifozë të PAOK-ut të Selanikut, mes tyre edhe një shqiptar, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të plagosur. Në raportimin e tij, Shkëmbi përcolli edhe deklaratat e familjarëve të dy shqiptarëve që ndodheshin në mjet.
Njëri prej tyre është Genci Sadiku, i cili fatmirësisht ka arritur të mbijetojë dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ai është personi që ka njoftuar i pari policinë rumune për aksidentin, menjëherë pas përplasjes së fugonit ku udhëtonin 10 tifozë.
“Vetëm 20 sekonda pasi ka telefonuar policinë rumune, Genci Sadiku ka telefonuar familjen e tij në Selanik duke u thënë: ‘Nuk e di si po ju telefonoj, nuk e di si jam gjallë, por e di që do të kthehem në shtëpi. Mos u shqetësoni’”, – tha gazetari, duke iu referuar dëshmive të familjarëve për mediat greke.
Sipas të dhënave, tre të mbijetuarit ndodheshin në pjesën e pasme të fugonit dhe kjo dyshohet se ka ndikuar në shpëtimin e tyre, ndërsa njëri prej tyre vijon të jetë në gjendje të rëndë.
Mes viktimave është edhe Vasil Palo, me origjinë nga Korça, i cili prej vitesh jetonte dhe punonte me familjen e tij në Aleksandria të Imathias në Greqi. Ai ishte tifoz i flaktë i PAOK-ut dhe po udhëtonte drejt Lionit për të ndjekur ndeshjen e skuadrës.
“Kam komunikuar me motrën e tij, e cila ishte në një gjendje shumë të rëndë emocionale. Ajo tregonte se ai gjithmonë shprehej se do ta linte jetën në stadium dhe nuk e kishte menduar kurrë se kjo do të ndodhte në rrugë”, – raportoi Shkëmbi.
Sipas motrës së viktimës, Vasil Palo ishte një njeri punëtor, i përkushtuar ndaj familjes, ndërsa pasioni i tij i vetëm ishte futbolli.
Hetimet për aksidentin vijojnë nga autoritetet rumune. Sipas mediave lokale, fugoni i marrë me qira ka devijuar papritur gjatë një manovre parakalimi, duke shkaktuar një përplasje fatale që solli vdekjen e menjëhershme të shtatë personave.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Greqi dhe më gjerë, ndërsa në Selanik priten homazhe në stadiumin e PAOK-ut, me pjesëmarrjen e tifozëve dhe përfaqësuesve të futbollit.