Nga Arian Galdini
Pakti Kombëtar i Urtisë mund të kuptohet si masë përballë impulsit, një mënyrë e qetë për ta mbajtur jetën publike në dinjitet, pa e fyer nxitimin, pa e turpëruar dhimbjen, pa e kthyer zemërimin e drejtë në vegël.
Ai e mban shfryrjen brenda kufirit të përgjegjësisë, e kthjellon zërin që synon të fitojë vetëm me zë, dhe ia kthen vendit një aftësi më të thellë se fjalia, ta lidhë fjalën me përgjegjësi, që fjala të mos mbetet thirrje, por të bëhet sjellje.
Kjo e dallon nga shumica e thirrjeve të ditës. Pakti nuk mbështetet te nxehtësia e çastit, por te një kriter i vetëm, i barabartë, fjala mban gjurmë, pushteti pranon barrë.
Kur gjurma merret seriozisht dhe barra nuk shtyhet, padrejtësia e humb strehën e vet, sepse s’ka më ku të rrijë.
Morali nuk shitet si zbukurim, pranon peshën e vet dhe e bën peshën të dukshme.
Koha jonë e njeh një mënyrë pushteti që di të duket gjithmonë “e domosdoshme”, sepse i flet frikës dhe lodhjes njerëzore, gjuhën e emergjencës.
Ajo blen kohë duke u shitur si shpëtim. “Tani” ngrihet si detyrim moral i pathënë, “pas pak” bëhet mënyrë qeverisjeje, “më vonë” kthehet në mburojë.
Në atë gjuhë, politika matet jo me rendin që ndërton, por me zhurmën që prodhon, jo me faktin e ngurtë që mban, por me frikën që shpërndan, jo me barrën që pranon, por me shpejtësinë me të cilën mbyll pyetjen.
Pastaj shtyrja bëhet rregull i padukshëm, llogaria largohet, ligji zvarritet, përgjegjësia tretet.
Paprekshmëria rritet kur shtyrja bëhet mënyrë.
Fjala zë vendin e vendimit.
Në atë rrymë, bindja shitet si virtyt, ndërsa pyetja nis të duket e padëshiruar.
Pyetja quhet “pengesë”, kontrolli quhet “sulm”, ligji quhet “vonesë”.
Llogaria zëvendësohet nga tregimi dhe rendi mbulohet nga përshtypja, edhe qytetari i thjeshtë, pa e kuptuar, mëson të jetojë me një prag më të ulët, sepse lodhja e përditshme e bën shtyrjen të duket e natyrshme.
Këtu del bashkimi pa pyetje.
Jo bashkimi si vlerë, por bashkimi i kërkuar si përgjigje e parë, para gjurmës dhe para barrës.
Ai bashkim e mbyll pyetjen para se të nisë, dhe kur pyetja mbyllet, qytetaria merret peng pa zhurmë.
Njeriu nuk ftohet të mendojë, ftohet të rreshtohet.
Nuk i kërkohet të shohë, i kërkohet të ndjejë. Nuk i kërkohet të mbajë barrë, i ofrohet një lehtësim i shpejtë, të ndihesh “në anën e duhur”, pa qenë i detyruar.
Kur kjo zgjat, jeta publike shkon në përsëritje të lexueshme.
Nxehtësia ngrihet e bie, qytetari i thjeshtë lodhet dhe e ul pritshmërinë e vet, pa ia vënë emrin kësaj uljeje.
Edhe kur zërat duken të ndryshëm, shpesh luhet i njëjti instrument, grumbullim, fjali të forta, numërim, shpërndarje, përsëritje.
Përplasjet mund të jenë të ashpra, por prirja e përbashkët mbetet e njëjtë, hapësira qëndron e ndezur, ndërsa pushtetit nuk i vihet ajo pasojë politike që e detyron të ndryshojë.
Dhe kur gjithçka bëhet e parashikueshme, shtyrja fiton një të drejtë të pashkruar.
Pikërisht këtu Pakti del si rend i pasojës, me qetësi dhe pa gjuhë urdhëruese.
Ai mbetet marrëveshje e barabartë sjelljeje, fjala mbështetet në gjurmë, pushteti pranon barrë.
Ai s’kërkon pajtim mendimesh dhe s’kërkon një mendje të vetme për të gjithë, kërkon vetëm që barazia para ligjit të mos ketë dy pesha, që përgjegjësia të mos ketë dy porta, që e drejta të mos vlejë vetëm kur na shërben.
Këtu merr kuptimin “kombëtar”, jo ceremoni, por çasti kur shoqëria bëhet komb sepse pranon të matet me të njëjtin kriter.
Këtu merr kuptimin “shqiptarist”, nderi nuk mbulohet me fjalë, nderi provohet me sjellje.
Këtu merr kuptimin “prindërues”, jeta publike nis të matet me të nesërmen e fëmijëve, jo vetëm me temperaturën e ditës.
Pakti, si i tillë, nuk shpall moral, e lidh moralin me çmim.
Fjala nuk shërben për të mbushur hapësirën, por për të kërkuar përgjegjësi.
Vendimi nuk rri i varur në ajër, mban pasojë.
Gabimi nuk mbulohet me “interpretim”, pranohet dhe paguhet.
Dhe në disa raste, largimi nga detyra lexohet si shenja më e kthjellët për të mos e rënduar më tej besimin, sepse besimi publik është i brishtë dhe nuk mbijeton kur askush s’e mban peshën e gabimit.
Kuvendimi i Urtisë është mënyra qytetare që e mban këtë standard gjallë.
Nuk është tribunë dhe nuk është garë zërash.
Është bashkëbisedim ku fjala nuk vlen nga volumi, por nga pesha, ku pyetja bëhet për të ndërtuar, jo për të poshtëruar, ku secili e sheh tjetrin si qytetar.
Pyetja “si e dimë?” mban brenda edhe dy të tjerat pa qenë nevoja të renditen, çfarë dimë dhe çfarë çmimi pranojmë.
Kështu debati kthehet nga pamja te përgjegjësia dhe nga tregimi te gjurma.
Në këtë kuptim, Pakti nuk del kundër protestës si e drejtë.
Protesta mbetet frymëmarrje e demokracisë.
Por kur gjithçka kthehet në reagim të pandërprerë, drejtimi humbet dhe pushteti fiton kohë.
Pakti synon ta kthejë energjinë në formë, që nxehtësia të mos harxhohet kot, por të kthehet në llogari, në vendim, në përgjegjësi.
Dhe kjo mund të ndodhë pa kërkuar pushtet.
Prandaj rruga që më vjen natyrshëm është t’i nis takimet si qytetari dhe autori Arian Galdini, ballë për ballë me qytetarët shqiptarë, kudo ku jetojnë, në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo qytet, dhe në Diasporë.
Takimet janë bashkëbisedime të drejtpërdrejta, ku fjala nuk bëhet shfaqje dhe askush nuk kthehet në tifoz.
Dhe kjo mund të thuhet qartë, me dashuri e përvujtni, këtu nuk ka nismë partie, nuk ka skenë elektorale, nuk ka prapaskenë, ka një nismë qytetare për vetëdijesim, për kthjelltësi, për rritje të kulturës së përgjegjësisë dhe të dinjitetit publik.
Kur kërkohet bashkim pa pyetje, diçka po kërkon hije.
Me Urtinë kërkohet vetëm drita e vetëdijes qytetare.