Sipas saj, prania e fëmijëve me gjuhë amtare të huaj “po e ulë cilësinë e mësimit” prandaj ajo sugjeron një prag prej 30 për qind

SVP (Partia Popullore Zvicerane) në kuvendin e saj të delegatëve, të mbajtur sot ka bërë thirrje për një reformë arsimore që do të përqendrohej në aftësitë bazë. Njëherësh kjo parti fajëson emigracionin për performancën e dobët akademike të shkollave zvicerane.

Në këtë takim, përfaqësuesit e SVP kanë kërkuar një kufizim të numrit të fëmijëve që flasin gjuhë të huaja për klasë, teste të detyrueshme gjuhësore para fillimit të shkollës dhe sanksione për mungesën e bashkëpunimit prindëror.

Më tutje kjo parti po mbështet një ndalim mbarëkombëtar të telefonave celularë në shkolla, rikthimin e klasave të arsimit special dhe forcimin e lëndëve praktike.

“Fëmijët më në fund duhet të mësojnë përsëri bazat: leximin, shkrimin dhe aritmetikën”, është shprehur deputeti i SVP-së nga Cyrihu, Benjamin Fischer. Ai argumentoi se shkollat ​​janë gjithnjë e më të paafta për ta përmbushur këtë detyrë. SVP-ja identifikon imigracionin si arsyen kryesore.

Fischer deklaroi më tutje se kur 20 për qind e fëmijëve në një klasë kanë një gjuhë amtare jo zvicerane, mësimdhënia bëhet e vështirë, dhe kur kjo shkallë arrin në 30 për qind, pothuajse e pamundur. Prandaj, në zgjidhjet e saj të propozuara, SVP po bën thirrje për një kufizim në numrin e nxënësve me gjuhëve amtare të huaj, për çdo klasë.

Mbi një përqindje të caktuar të fëmijëve me prejardhje të huaj, cilësia e arsimit bie, sipas deputetit të SVP-së. Prandaj kjo parti sugjeron një prag prej 30 për qind, duke cituar studime. Për këtë arsye është edhe thirrja e përmendur për një kufi për numrin e fëmijëve me gjuhë të huaj, në klasë. Në varësi të lagjes dhe zonës së banimit, kjo mund të çojë në sfida të konsiderueshme logjistike.

Fischer thotë se komunat dhe kantonet do të duhet të vendosin se si do të zbatohen kufij të tillë./albinfo

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com