Serbia, me një gjuhë përçmuese dhe arrogante, e ka quajtur Maqedoninë e Veriut “banana shtet”. Një etiketim që flet më shumë për krizën e diskursit politik të Beogradit.
Maqedonia e Veriut ndoshta ka tradita ballkanike të përbashkëta, por, për fatin e keq të Serbisë, ka edhe shqiptarë. Afro 40 për qind e popullsisë janë shqiptarë, qytetarë autoktonë dhe pjesë përbërëse e këtij shteti, me rol vendimtar në stabilitetin politik, bashkëjetesën ndëretnike dhe orientimin euroatlantik të vendit. Ky është një realitet që Serbia shpesh e injoron ose e sheh me shqetësim politik.

Vuçiçi duhet të haroj qasjen e vjetër hegjemone të Serbisë, e cila ende nuk është pajtuar me realitetin e Ballkanit të sotëm: shtete sovrane, popuj të barabartë dhe shqiptarë që nuk mund të injorohen më.
Maqedonia e Veriut nuk është pronë e askujt, as sferë influence dhe as terren për nënçmim diplomatik. Është një shtet multietnik, me sfida serioze dhe mangësi reale, por me orientim të qart propërendimorë.
Ironia është se, ndërkohë që Serbia i etikon fqinjët, ajo po përballet gjithnjë e më shumë me problemet e veta të brendshme. Së fundmi, në disa qytete serbe janë shfaqur parulla dhe flamuj që simbolizojnë Republikën e Sanxhakut dhe atë të Vojvodinës. Këto nuk janë veprime folklorike, por shenja të pakënaqësive të akumuluara ndër vite.

Në vend që të merret me këto çështje, Beogradi shpesh zgjedh të eksportojë krizat përmes retorikës nacionaliste dhe fjalorit përçmues dhe kërcënues ndaj fqinjëve.


Paradoksi është i qartë: një shtet që përballet me tensione të brendshme nuk ka as kredibilitet moral dhe as politik për të etiketuar të tjerët si “banana shtete”. Stabiliteti rajonal nuk ndërtohet me arrogancë, por me respekt reciprok dhe pranimin e realiteteve të reja politike në Ballkan.
Në fund, gjuha e nënçmimit nuk e forcon Serbinë dhe nuk e dobëson Maqedoninë e Veriut. Ajo vetëm sa rikthen hijet e një mentaliteti të vjetër, që Ballkani i sotëm e ka tejkaluar.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com