Përfundoi numërimi dimëror i shpendëve ujorë: Liqeni i Dojranit me shifra stabile, Ohri me 12.000 shpendë më pak
Gjatë numërimit dimëror të shpendëve në tre liqenet natyrore në Maqedoninë e Veriut u regjistruan mbi 35.300 shpendë të 44 llojeve të ndryshme të shpendëve ujorë. Kjo gjë në vendin tonë nga viti 2010 e këtej bëhet çdo janar nën udhëheqjen e Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë (ShEM), si pjesë e Censusit Ndërkombëtar Dimëror të Shpendëve Ujorë, transmeton Portalb.mk.
Në liqenin më të vogël, atë të Dojranit, janë regjistruar 6.206 shpendë, që është një rritje e lehtë nga numërimi i një viti më parë kur u regjistruan 4.239. Në liqenin e Prespës dhe atë të Ohrit tani janë regjistruar pothuajse numër i njëjtë shpendësh – 14.364 dhe 14.744, por krahasuar me vitet e kaluara ato variojnë në mënyrë të parregullt. Në Prespë numri i shpendëve është rritur për mbi 4.000, ndërsa në Ohër rënia është drastike, atje janë regjistruar 12.000 shpendë më pak.
„Krahasuar me të dhënat e pesë viteve të kaluara popullatat e shpendëve në Liqenin e Dojranit, edhe pse të vogla, janë stabile. Në Liqenin e Prespës shënohen fluktuacione, ndërsa ndryshimet në Liqenin e Ohrit janë më dinamike. Shkaqet e këtyre ndryshimeve do të përcaktohen pasi të shqyrtohen të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në të dhëna të tilla dhe në kontekst të numërimeve nga vendet e tjera evropiane“, thekson Danka Uzunova, ornitologe dhe koordinatore e projektit në Shoqatën Ekologjike të Maqedonisë (ShEM).Siç theksojnë nga ShEM shpendët janë një indikator i shkëlqyer biologjik për gjendjen e habitateve që ata i popullojnë dhe i shfrytëzojnë. Përmes numërimit dimëror që ndodh në mënyrë të sinkronizuar në mijëra habitate ujore anembanë botës regjistrohet prania ose mungesa e tyre dhe numri i tyre.
Gjatë kësaj përdoren metoda të standardizuara që shkencëtarët dhe mbrojtësit e natyrës të mund t’i ndjekin tendencat afatgjata të popullatave. Gjithashtu edhe ta vlerësojnë rëndësinë ndërkombëtare të zonave të caktuara ujore dhe të detektojnë ndryshime në gjendjen e zonave ujore për shkak të humbjes së habitateve, ndryshimit të regjimeve ujore, ndotjes dhe ndryshimeve klimatike.
„Në këtë mënyrë sigurohen dëshmi të forta të cilat duhet të merren parasysh gjatë krijimit të politikave dhe masave mbrojtëse. Të dhënat e mbledhura në këtë mënyrë janë të dobishme edhe për kornizat kryesore ndërkombëtare, siç janë Konventa e Ramsarit për zonat ujore, Marrëveshja Afrikano-Evroaziatike për shpendët ujorë (AEWA), direktiva e BE-së për mbrojtjen e shpendëve të egër dhe indikatorët globalë për biodiversitetin, sepse ato ofrojnë një nga bazat më të fuqishme afatgjata të të dhënave për biodiversitetin në nivel global dhe përfaqësojnë një sistem esencialisht të rëndësishëm për paralajmërim të hershëm për përkeqësimin e gjendjes së habitateve ujore, e me këtë edhe të biodiversitetit“, shton Uzunova.
Numërimi dimëror i shpendëve këtu bëhet njëkohësisht në të gjithë territorin e tre liqeneve natyrore në të gjitha shtetet, për këtë arsye në të marrin pjesë edhe bashkëpunëtorë nga Parku Kombëtar “Galicica“, Parku i Natyrës „Ezerani“, Shoqata për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror nga Shqipëria (PPNEA) dhe nga Shoqata për mbrojtjen e Prespës (SPP) dhe Parku Kombëtar „Liqeni Kerkini“ nga Greqia.
Përveç se që e koordinon aksionin në anën e Maqedonisë dhe i përpunon të dhënat e mbledhura, ShEM gjithashtu i këshillon dhe i udhëzon vullnetarët në numërimin e shpendëve.
“Në mesin e njerëzve që vijnë në terren ka shkencëtarë dhe studiues profesionistë, por edhe adhurues të natyrës me pasion të madh për shpendët, të cilët kohën e tyre të lirë e kalojnë vullnetarisht me ne, në mjedis të hapur, para teleskopit, me dylbi ose aparat fotografik në dorë. Kontributi i tyre është jashtëzakonisht i çmuar, ndërsa në kthim kanë mundësinë të krijojnë njohje të reja, t’i pasurojnë njohuritë e tyre dhe t’i shijojnë pamjet që ndonjëherë janë vërtet të jashtëzakonshme“, thekson Uzunova.
Numërimi dimëror në vend është pjesë e Censusit Ndërkombëtar Dimëror të Shpendëve Ujorë i cili bëhet plot 60 vite, me çka radhitet ndër programet më të mëdha dhe më gjatë të zbatuara të shkencës qytetare në botë.
Nga viti 1967 e deri më sot me numërimet dimërore janë vizituar mbi 67.000 habitate ujore në 189 vende dhe territore, duke filluar nga zonat bregdetare të Evropës Veriore deri te grykëderdhjet tropikale të lumenjve në Azi dhe Afrikë. Në këtë mënyrë deri më tani janë evidentuar pothuajse 2 miliardë shpendë dhe janë identifikuar mijëra habitate ujore me rëndësi ndërkombëtare.