Pesë kandidatë janë paraqitur në konkursin e Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që skadoi mbrëmë në mesnatë, por në mënyrë që të mbyllet lista, lihet hapësirë prej 2-3 ditë për paraqitje të mundshme që janë dërguar me kohë me postë, ndërsa ende nuk kanë arritur, thonë për MIA-n nga shërbimi i Kuvendit për shtyp.
Nga atje emrat e kandidatëve nuk i zbulojnë, por siç konfirmuan edhe disa nga vetë të paraqiturit, bëhet fjalë për u.d prokuroren e tanishme publike, Anita Topollova-Isajllovska, prokuroren Lençe Ristovska, gjykatësi nga Gjykata penale, Nenad Savevski, ish-kryetari i Gjykatës penale, Vlladimir Pançevski, dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq.
Gjykatësi nga Gjykata penale, Savevski, dhe prokurorja Raiçeviq, për MIA-n e konfirmuan kandidaturën, ndërsa në deklaratë për mediumet u përgjigjën në mënyrë konfirmuese edhe prokurorja Ristovska dhe u.d. prokurorja shtetërore Topollova-Isajllovska.
Kandidaturën e vet për konkursin për prokuror publik të RMV-së që e shpalli Kuvendi, deri më tani e konfirmoi ish-kryetari i Gjykatës Themelore Shkup, Vlladimir Pançevski. Në paraqitjen e Pançevskit të parashtruar më 21 janar në Kuvend ceket se ai i përmbushë të gjitha kushtet ligjore për kryerje të funksionit prokuror shtetëror publik.
Kandidaturë për funksionin paralajmëroi edhe ish-prokurori i lartë publik i Prokurorisë së lartë publike, Mustafa Hajrullahi, por megjithatë hoqi dorë nga qëllimi.
Në vendin e Ljupço Kocevskit, i cili dha dorëheqje të parevokueshme në dhjetor të vitit të kaluar, erdhi prokurorja Topollova-Isajllovska si u.d. prokurore publike shtetërore, e cila ishte kandidatja e vetme, por nuk mund të qëndrojë në pozitë më gjatë se gjashtë muaj.
Procedura për zgjedhje të prokurorit të ri publik shtetëror filloi me konkursin që e shpalli Kuvendi për 12 janar të këtij viti, me afat paraqitjeje prej 15 ditëve nga dita e shpalljes në “Gazetë zyrtare”. Kandidatët duhet të kenë stazh të pandërprerë pune prej së paku 10 viteve si prokurorë publik apo gjykatës nga fusha e së drejtës penale.
Sipas Ligjit për Prokurorinë publike, kandidaturat ridërgohen në Qeveri. Pas paraqitjes, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i prokurorëve publik për të gjithë kandidatët.
Këshilli është i obliguar të parashtrojë mendime arsyetuese në afat prej 15 ditëve. Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjërin prej kandidatëve të paraqitur, Qeveria nuk mund të konstatojë propozimin dhe i propozon Kuvendit të shpallë konkurs të ri. Me 61 vota të deputetëve duhet të zgjedhet prokurori i ri.