Plagoset rëndë me thikë shqiptari në qelitë greke, kush është 45-vjeçari me të shkuar të errët kriminale
Një tentativë vrasjeje u regjistrua të enjten, më 29 janar, në mesditë, në burgun e Malandrinës, kur një shqiptar i burgosur me të kaluar kriminale të rëndë, u sulmua me dhunë vetëm pak minuta pas hyrjes në institucion.
Viktima e këtij sulmi të dhunshëm është shtetasi shqiptar 45-vjeçar, Dhimitër Meci, i njohur me nofkën “Dimos”, person me rol qendror në strukturat e krimit të organizuar dhe me një histori të gjatë në raste kriminale të rënda.
“Dimos” ishte sapo transferuar në Malandrino nga Spitali Psikiatrik i Burgjeve të Koridhalosit, ku kishte qëndruar së fundmi për ekspertiza psikiatrike të urdhëruara për çështjen e tij. Mediat greke bëjnë me dije se sulmi ndodhi gjatë përfundimit të procedurës së pranimit në burg.
Para se të mund të dërgohej në krahun ku ishte planifikuar të mbahej, ai u sulmua papritur nga një tjetër i burgosur, i cili iu afrua dhe e qëlloi disa herë me thikë të improvizuar.
Lëndimet që ka marrë cilësohen të rënda, por sipas të njëjtave burime, pavarësisht ashpërsisë së sulmit, jeta e tij nuk rrezikohet në mënyrë të menjëhershme.
Autoritetet trajtojnë incidentin si një përpjekje të qartë ekzekutimi brenda burgut, ndërsa profili i viktimës shpjegon edhe rëndësinë e ngjarjes.
Sipas burimeve policore, “Dimos” konsiderohet një nga “armët kryesore” të natës së Athinës dhe në të kaluarën ka pasur lidhje direkte operative me Panagiotis Vlastos. Emri i tij është përfshirë në dosje voluminoze që lidhen me urdhër-vrasje, rrjete shantazhesh dhe plaçkitje të armatosura.
Veçanërisht rëndësishme është përfshirja e tij në çështjen e njohur të Giannis Lalas. Autoritetet kanë arritur në përfundimin se 45-vjeçari ishte organizatori kryesor dhe “truri” i prapaskenës kriminale të sulmit vrasës që u zhvillua në maj 2025 kundër Lalas.
Gjatë atij sulmi, viktima u qëllua me dhjetëra plumba nga një automatik tip Kalashnikov, por shpëtoi për fat të mirë, pasi blindimi i rëndë i Mercedes-it luksoz që drejtonte rezistoi goditjet.
Megjithatë, përpjekja nuk mjaftoi për ta shpëtuar përgjithmonë. Giannis Lalas u vra më 1 nëntor në Arahova, në një rast që mbetet prioritet për Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar.
Për këtë vrasje janë arrestuar tashmë katër persona, nga Rusia dhe Greqia, të cilët akuzohen për përfshirje në planin ekzekutiv./Panorama