Një diplomat i mëparshëm slloven ka shkaktuar reagime të ashpra në publik pas një deklarate kontraverse dhe fyese, duke paralajmëruar për ndryshimet demografike dhe në punësim në Slloveni, duke pretenduar se në të ardhmen në disa zona mund të ketë edhe kryebashkiakë me origjinë shqiptare.

Bëhet fjalë për ish-diplomatin Zmago Plemeniti, i cili në një postim në rrjetin social X shqiptarët i quajti “shiptari” dhe shkroi se ata po “marrin në dorë Slloveninë”, duke iu referuar pranisë së shtuar të fuqisë punëtore shqiptare, veçanërisht në sektorin industrial dhe logjistik. Sipas tij, në disa komuna popullsia shqiptare tashmë përbën një pjesë të konsiderueshme të të punësuarve dhe banorëve, gjë që ngre pyetje për përfaqësimin politik të ardhshëm.

“Shpejt disa qytete sllovene do të kenë kryebashkiakë shqiptarë”, shkroi Plemeniti, duke vlerësuar se politikat e migracionit dhe të punës po ndryshojnë vendin më shpejt sesa institucionet janë të përgatitura të pranojnë.

Deklarata e tij erdhi pas shfaqjes së shpalljeve dypjesëshe për punësim – në sllovenisht dhe shqip – në qytete si Celje, çka shkaktoi debat mbi integrimin, politikën gjuhësore dhe efektet afatgjata të fuqisë punëtore të huaj mbi komunitetet lokale.

Mbështetësit e Plemenitit thonë se nuk është çështje etnike, por çështje e kohezionit social dhe strategjisë shtetërore, duke theksuar se Sllovenia nuk ka një model të qartë për integrimin dhe ekziston rreziku i krijimit të komuniteteve paralele.
Nga ana tjetër, kritikët e vlerësojnë deklaratën si kërcënuese dhe si nxitje të tensioneve etnike. Ata nënvizojnë se punëtorët shqiptarë plotësojnë kryesisht boshllëqet në sektorë ku mungon fuqia punëtore lokale, si ndërtimi, transporti dhe prodhimi, dhe se debati është pjesë e një konteksti më të gjerë europian mbi migracionin, jo një problem specifik slloven.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com